Tre aktivistë të “Just Stop Oil” janë akuzuar për dëm kriminal pasi hodhën supë me domate në dy piktura të Vincent van Gogh nga seria “The Sunflowers” në Galerinë Kombëtare të Londrës të premten.
Stephen Simpson, 61 vjeç, Phillipa Green, 24 vjeç dhe Mary Somerville, 77 vjeç, janë arrestuar, tha Galeria Kombëtare në një deklaratë, duke shtuar se pikturat, të cilat janë të mbështjella në xhami, nuk janë dëmtuar.
Sipas muzeut, tre persona hynë në një dhomë në ekspozitën “Van Gogh: Poetët dhe të dashuruarit” dhe hodhën një “lëndë të ngjashme me supën” në dy vepra, njëra prej të cilave është huazuar nga Muzeu i Artit në Filadelfia.
“Pikturat u hoqën nga ekspozita dhe pasi u ekzaminuan dolën se nuk janë dëmtuar. Ne synojmë të rihapim ekspozitën sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Galeria Kombëtare.
Në një video të publikuar nga aktivistët në rrjetet sociale, protestuesit shihen duke hedhur kanaçe me supë mbi pikturën ndërsa vizitorët dëgjohen duke reaguar me zemërim.
“Brezat e ardhshëm do t’i konsiderojnë këta të burgosur të ndërgjegjes në anën e duhur të historisë,” tha Phillipa Green, që mori pjesë në aksion.
Ngjarja erdhi disa orë pasi dy protestuesve të “Just Stop Oil”, Phoebe Plummer, 23 vjeç dhe Anna Holland, 22, u dënuan me burgim për shkaktimin e një dëmi prej rreth13 mijë dollarësh në kornizën e një pikture të Van Gogh në vitin 2022.
“Just Stop Oil” tha se veprimi ishte një “shenjë kundërshtimi” në përgjigje të dënimit të Plummer dhe Holland, të cilët morën përkatësisht dënime me 2 vjet dhe 20 muaj. Gjykatësi, Christopher Hehir, tha se “thesari kulturor” mund të ishte dëmtuar në mënyrë të pariparueshme apo edhe shkatërruar.
“Just Stop Oil” ka rrëmbyer titujt kryesorë duke vandalizuar veprat e artit dhe duke ndërprerë trafikun në gjithë Mbretërinë e Bashkuar për t’i bërë presion qeverisë që të pezullojë licencat e nxjerrjes së karburanteve fosile.
Piktura e Van Gogh është vepra e fundit që është vënë në shënjestër nga aktivistët e klimës. Vitet e fundit, veprat e artistëve si Leonardo da Vinci, Andy Warhol dhe Claude Monet janë sulmuar.