Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna në Kuvend, Berisha u përgjigjet diplomatëve: Ju respektoj, por popujt tuaj reagojnë sa herë iu ndodhin padrejtësi


Kryetari i PD-së Sali Berisha ka reaguar lidhur me qëndrimet e diplomatëve të akredituar në Tiranë, të cilët janë shprehur të shqetësuar lidhur me djegien e karrigeve nga deputetët demokratë, në hyrjen e parlamentit, gjatë pasdites së të hënës.

Ambasadori i BE-së në Tiranë dhe më pas Ambasada e SHBA kanë kërkuar nga palët që të ulen të dialogojnë, ndërsa theksojnë se akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik.

Por Berisha në reagimin e tij solli në vëmendje reagimet që bëjnë popujt e vendeve partnere të Shqipërisë, kur u cënohen të drejtat.

“PD ka respekt për partnerët ndërkombëtarë, por ka respekt edhe për popujt e vendeve partnere të cilët sa herë ndoddhen përpara një padrejtësie i japin përgjigjen e merituar cilitdo.

Unë vërtet në fjalën time kërkova që të mos heshtim përpara dhunës politike që është forma më e egër e dhunës, para burgosjes së një njeriu i cili nuk mbrojti vetëm interesat e shqiptarëve, por edhe interesat e Italisë, së një vendi të BE-së.  Jam i bindur se edhe administrata amerikane është e interesuar për prerjen e lidhjeje të krimit me politikën, unë jam i vetëdijshëm për fuqinë korruptive të kreut të narkoshtetit, por prapë interesat e këtyre vendeve s’mund ti korruptojë”, tha Berisha.