Vendosni fjalën kyçe....

Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka kalon kufirin e 600 milionë eurove


Statistikat tregojnë se rritja e shpejtë e kredisë po ecën paralelisht në sektorin bankar dhe atë jobankar.

Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka ka kaluar vlerën e 600 milionë eurove në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në mesin e vitit 2024 arriti në 60.9 miliardë lekë, ose pothuajse 485 milionë euro.

Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me 9.1% që nga fillimi i vitit dhe me 17.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pjesën dërrmuese, portofoli kredisë së institucioneve financiare jobanka i takon subjekteve të kredidhënies dhe të mikrofinancës. Vlerësohet se kredia e dhënë nga ky sektor përbën tashmë afërsisht 7.5% të portofolit total të kredisë për ekonominë.

Kredia e institucioneve financiare jobanka jepet kryesisht në monedhën vendase dhe kjo ka bërë që efekti i forcimit të lekut në kursin e këmbimit të jetë më i vogël krahasuar me sektorin bankar. Në mesin e këtij viti, kredia në lekë përbënte pothuajse 69% të vlerës totale të portofolit të kredisë.

Rritja e shpejtë e kredisë nga institucionet financiare jobanka dëshmon ecurinë e mirë të kreditimit të ekonomisë në përgjithësi, por gjithashtu edhe një cikël pozitiv disavjeçar rritës të sektorit të subjekteve financiare jobankare.

Kontributin kryesor në rritjen e kreditimit në vitet e fundit e kanë dhënë në veçanti produktet e mikrofinancës. Mikrofinanca krediton nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro, kryesisht në atë segment që nuk gjen akses për financim nga sektori bankar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se paralelisht me rritjen e kredisë është përmirësuar edhe cilësia e portofolit. Raporti i kredive me probleme në fund të 6-mujorit 2024 ra në nivelin 12.8%, nga 13.3% që kishte qenë një vit më parë.

Megjithatë, rritja e shpejtë e kreditimit nga sektori financiar jobankar dhe veçanërisht nga segmeti i produkteve të mikrofinancës mund të ndikohet nga masat e reja rregullatore që pritet të miratojë Banka e Shqipërisë.

Mbështetur në parashikimet e projektrregullores “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, pritet një shtrëngim i fortë në hapësirat kredituese të institucioneve financiare jobanka.

Një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës.

Projektrregullorja vendos gjithashtu një vlerë tavan të kësteve të kredisë në raport me të ardhurat mujore neto të huamarrësve. Raporti i shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI) do të llogaritet si vlera e totalit të kësteve mujore të kredive ekzistuese, duke përfshirë edhe kredinë për të cilën po aplikohet, të pjesëtuar me të ardhurat neto të të gjithë bashkëkredimarrësve.

Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 40%. Kjo vlerë mund të jetë më e lartë vetëm në rastet kur kredimarrësi ka evidenca të mjaftueshme që niveli më i lartë i raportit nuk cënon pagesën e detyrimeve të kredisë.

Projektrregullorja parashikon gjithashtu edhe kërkesa më të detajuara dhe rigoroze të administrimit të rrezikut mbi huadhënien konsumatore.

Kërkesat e reja, që parashikojnë vlerësimin e detajuar të aftësisë paguese, pritet ta vështirësojnë shumë dhënien e kredive vetëm me një dokument identiteti brenda afateve kohore shumë të shpejta (në harkun e pak minutave), praktikë që ndiqet gjerësisht nga disa institucione të mikrofinancës konsumatore./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor