Ministri i Brendshëm Hoxha ka dënuar ashpër aksionin e deputetëve të PD-së dje në Kuvend, ku iu vu flaka karrigeve në dyert e godinës.
Ai shkruan se Kuvendi mbetet thelbi i vullnetit dhe besimit të votuesve dhe çdo akt vandalizmi mbetet i papranueshëm.
“Zjarrvënia e qëllimtë pasditen e djeshme, në dyert e institucionit më të lartë kushtetues të Republikës së Shqipërisë, Kuvendit të Shqipërisë, është jo vetëm një akt i dënueshëm nga Kodi Penal, po edhe një akt i pajustifikueshëm në çdo aspekt, i cili risjell në sytë e opinionit publik vendas e ndërkombëtar, momentet më të zeza të historisë së parlamentarizmit në Europën e të shkuarës, kur forcat më kriminale antidemokratike i vunë zjarrin tempullit të demokracisë.” – shkruan Hoxha.
Ai shton në reagimin e tij se të gjitha veprimet përbëjnë vepra penale të njëpasnjëshme dhe se policia e Garda kanë kryer veprimet dhe do referojnë në SPAK provat ndaj deputetëe të PD-së.
“Pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese, heqja me dhunë e të drejtës së fjalës, goditja për shkak të detyrës, vënia në rrezik e integritetit fizik të deputetëve dhe vetë kryeparlamentares përmes gjuajtjes me mjete të forta që mund të shkaktonin pasoja ekstreme. Shkatërrimi me zjarr i pronës publike, për të kërcënuar deputetët dhe nxitur dhunë në vazhdim, përbëjnë jo vetëm vepra penale të njëpasnjëshme po edhe një shfaqje të plotë agresioni antidemokratik. E gjithë ajo shfaqje dhune e ktheu territorin e Kuvendit të Shqipërisë në një vendngjarje për organet ligjzbatuese. Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke analizuar imtësisht vendngjarjen, administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. E gjithë ngjarja së bashku me nxitësit dhe ekzekutorët e dhunës, do të referohen në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta që mbartin deputetët, si kategori e juridiksionit të kësaj prokurorie.” – mbyll shënimin Hoxha.