Policia e Shtetit ka bërë bilancin e muajit shtator për goditjen e krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme. 82 operacione janë finalizuar nga 12 drejtoritë e policisë në qarqe, gjatë të cilëve janë arrestuar 527 persona.
Gjatë muajit shtator janë sekuestruar rreth 10 mijë fidanë kanabis, 24 armë zjarri, tritol, 6 ndezës granatash, pjesë armësh, 33 kg hashash i tharë, 1,8 kg kokainë si dhe mijëra doza droge.
Janë goditur edhe 4 grupe kriminale të organizuara, gjatë operacioneve të koduara “Tempulli 4” në Tiranë, me 15 të arrestuar, në Vlorë me 9 të prangosur në plazhin e Delisufit, të akuzuar për drogë, aksioni “No chance” me 8 të ndaluar për falsifikime dhe kalim të paligjshëm të kufirit dhe “Electronics”, me 4 të dyshuar kinezë që u kapën duke kontrabanduar në Rinas pajisje elektronike, të cilat i përdornin për lojëra fati dhe për prostitucion.
Janë zbardhur edhe 2 vrasje të kryera në Shënavlash, Durrës, dhe në Shkodër, të ndodhura gjatë muajit gusht, si dhe është zbardhur një plagosje e dyfishtë me armë zjarri, e kryer në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe.
Po kështu edhe aksione kundër aktivitetit të vjedhjeve të koduara “Exchange”, “Sundimi i ligjit”, “Falco”, “Kopja” dhe “Storm 25”, në Tiranë, Lushnjë, Durrës dhe Vlorë. Ndërkaq, janë parandaluar 1 vjedhje me armë zjarri në fshatin Nikç, Shkodër, dhe vjedhja në një banesë në Durrës;
Po kështu rreth 30 raste kundër mashtrimit dhe basteve të paligjshme, si dhe 6 raste kundër kontrabandës.
Dhuna në familje është pjesë e punës së policisë me me 114 raste të denoncuara dhe proceduara. 35 mjete lundruese pa dokumentacion dhe me shkelje janë sekuestruar ndërsa pronarët janë gjobitur.
Policia Rrugore ka vënë në pranga 148 drejtues mjetesh, nga të cilët 101 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 47 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Janë pezulluar 445 leje drejtimi, nga të cilat 127 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 67 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 251 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.