Vendosni fjalën kyçe....

Punonjëses së shërbimeve qeveritare dhe të vëllait u sekuestrohen 750 mijë euro pasuri


Një 37-vjeçari të dënuar më herët në Angli për shitje lëndësh narkotike i janë sekuestruar rreth  750 mijë euro pasuri.

Sipas gjykatës, Oltion Hasani e ka vënë pasurinë përmes veprimtarive kriminale. Pasuritë e sekuestruara përfshijnë gjashtë apartamente dhe gjashtë automjete.

Sipas prokurorisë, Irma Hasani, e punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë nuk mund të justifikonte blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Njoftimi

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Immediate”. Sekuestrohen pasuri me vlerë 750 000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 37-vjeçari. Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,u zhvillua operacioni policor i koduar “Immediate”. Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve Oltion Hasani, 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete. Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi Oltion Hasani, i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe. Materialet i kaluan Prokurorisë.”