Vendosni fjalën kyçe....

“Tetori Rozë”, veprimtari sensibilizimi te materniteti “Mbretëresha Geraldinë”


Në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, Fondacioni Spitalor i Nënës dhe i Fëmijës së bashku me stafin SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” organizuan një aktivitet sensibilizues për të ftuar çdo grua që gjatë këtij muaji të kryejë kontrollin e gjirit.

Mesazhi i drejtuar grave dhe vajzave ishte i qartë: Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, ndaj merrni kohë për të kryer kontrollet e nevojshme! Parandalimi është çelësi, dhe kontrolli i hershëm mund të shpëtojë jetë.

Dr. Aurel Kopeci theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta, duke rekomanduar që çdo grua nën 40 vjeç duhet të kryejë një kontroll të gjirit çdo vit, edhe në mungesë të simptomave shqetësuese. Për gratë mbi 40 vjeç, një mammogram vjetor është thelbësor për zbulimin e hershëm të çdo problemi.

Fondacioni Spitalor i Nënës dhe i Fëmijës është një organizatë që ka në qendër përmirësimin e kujdesit shëndetësor për gratë dhe fëmijët në Shqipëri.

Misioni i tyre është të krijojnë mundësi për shërbime shëndetësore cilësore dhe të rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e kujdesit dhe parandalimit të hershëm të sëmundjeve. Ata përqendrohen në sigurimin e qasjes në shërbime për grupet më të prekshme të shoqërisë dhe në promovimin e kujdesit gjithëpërfshirës për gratë dhe fëmijët.

Vizion i tyre është krijimi i një sistemi shëndetësor të fortë dhe të qëndrueshëm, ku çdo grua dhe fëmijë ka qasje të barabartë në kujdes mjekësor cilësor dhe të sigurt.

Me përkushtimin e tyre ndaj përmirësimit të kujdesit dhe promovimit të ndërgjegjësimit për sëmundjet si kanceri i gjirit, fondacioni ndihmon në krijimin e një kulture të kujdesit të rregullt dhe parandalimit, duke shpëtuar jetë dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës së komunitetit.