Vendosni fjalën kyçe....

“Do hakmerremi” – Netanyahu kërcënon Iranin pas sulmit me raketa


Kryeministri Netanyahu u zotua se do hakmerret kundër Iranit pasi ky i fundit gjuajti një sërë raketash balistike ndaj Izraelit të martën, ndërsa rajoni po afrohej gjithnjë e më shumë drejt një lufte gjithëpërfshirëse.

Duke folur pasi ushtria izraelite tha se Teherani kishte gjuajtur rreth 180 raketa në vend, Netanyahu paralajmëroi se “Irani bëri një gabim të madh sonte dhe ai do të paguajë për të”.

“Kushdo që na sulmon, ne do t’i sulmojmë ata,” tha ai.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se shumica e raketave iraniane ishin kapur, por shtoi se kishte “disa goditje në qendër dhe zona të tjera në jug të vendit”. Ai tha se ushtria nuk ishte në dijeni për ndonjë viktimë.

Një person i informuar për gjendjen tha se breshëria iraniane kishte shënjestruar infrastrukturën ushtarake dhe të inteligjencës pranë Tel Avivit dhe objekteve të tjera gjetkë në vend.

Sulmi erdhi pa paralajmërim dhe shënoi një përshkallëzim dramatik në armiqësitë midis Iranit dhe Izraelit, i cili ka shtuar ofensivën e tij në Liban kundër Hezbollahut, përfaqësuesi më i rëndësishëm i Teheranit në rajon.

Disa orë para sulmit me raketa iraniane, Izraeli tha se kishte nisur një ofensivë tokësore kundër Hezbollahut në Libanin jugor, katër ditë pasi vrau liderin e grupit militant Hassan Nasrallah.

Rritja e konfliktit e vendos Lindjen e Mesme në prag të një lufte gjithëpërfshirëse që mund të përfshijë edhe SHBA-në, e cila është zotuar të mbrojë Izraelin.

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan e përshkroi sulmin iranian si “një përshkallëzim të rëndësishëm”.

“Tani do shikojmë se cilat janë hapat e ardhshëm të duhur për të siguruar interesat amerikane dhe për të siguruar stabilitetin në rajon”, tha ai.

Garda Revolucionare e Iranit tha se kishte lëshuar dhjetëra raketa balistike në Izrael në hakmarrje për vrasjet javën e kaluar të Nasrallah dhe një komandanti të lartë të Gardës në një valë sulmesh ajrore izraelite që rrafshuan të paktën gjashtë ndërtesa banimi në Bejrut.

Garda tha se breshëria ishte gjithashtu në përgjigje të një sulmi të dyshuar izraelit që vrau udhëheqësin politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran në korrik.