Vendosni fjalën kyçe....

Guvernatori Sejko: Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3%


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko thotë se kursi i këmbimit ka qenë relativisht i qëndrueshëm.

Në deklaratën pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës së BSH, guvernatori u shpreh se u vendos që të mbahet e pandryshuar norma bazë e interesit në nivelin 3%. 

Sipas Guvernatorit. aktiviteti ekonomik pritet të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga kërkesa e brendshme dhe e huaj.

Sejko po ashtu u shpreh se paga mesatare në sektorin privat u rrit me 6.9% në tremujorin e dytë, ndërsa  politika monetare e ndjekur gjatë dy viteve të shkuara ka rezultuar e suksesshme.

“Këshilli Mbikëqyrës i BSH vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.0%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.0%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.0%”, tha Sejko.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë muajve korrik-gusht, duke qëndruar pranë një niveli mesatar prej 2%. Rënia e inflacionit gjatë tre tremujorëve të parë të vitit është diktuar – në masën më të madhe – nga kontributi në rënie i inflacionit të artikujve ushqimorë dhe, së fundmi, i çmimeve të produkteve energjetike. Nga ana tjetër, ndonëse me një tendencë të lehtë rënëse, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës shfaqet më i qëndrueshëm.

Nga këndvështrimi makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar – në masën më të madhe – reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar. Kjo ecuri është ndikuar si nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, ashtu edhe nga kursi i fortë i këmbimit. Paralelisht me të, edhe inflacioni i gjeneruar nga zhvillimet e brendshme ekonomike dhe monetare ka ardhur në rënie, por kjo rënie është më e ngadaltë dhe presionet e brendshme inflacioniste mbeten ende në nivele që nuk janë konsistente me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Këto presione vazhdojnë të ushqehen nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, si dhe nga rritja relativisht e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke qëndruar në kahun e sipërm të pritjeve tona. Të dhënat e disponuara sugjerojnë se rritja ekonomike ka qëndruar në nivele të përafërta edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024. Rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i konsumit, i investimeve, si dhe i eksportit të mallrave e shërbimeve. Nga ana tjetër, rritja e importeve dhe politika fiskale konsoliduese e ndjekur gjatë kësaj periudhe kanë pasur një ndikim frenues në rritjen ekonomike. Kjo strukturë kërkese është pasqyruar në rritjen e aktivitetit në sektorin e shërbimeve, të ndërtimit dhe të bujqësisë, ndërkohë që sektori i industrisë ka shënuar tkurrje.

Analizat tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri pasqyrohet në nivelet e larta të shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve, si dhe në mungesat e vëna re në tregun e punës.

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme të punësimit e të pagave në ekonominë shqiptare. Ndonëse informacioni statistikor për punësimin në tremujorin e dytë nuk është ende i disponueshëm, të dhënat administrative sugjerojnë se punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 1.9% në tremujorin e dytë, duke qëndruar në nivele të ngjashme me ritmet e shënuara në tremujorin e parë. Paralelisht me të, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 6.9% në tremujorin e dytë, duke vijuar të ushtrojë presion për rritjen e kostove të prodhimit dhe të çmimeve finale të konsumit”, u shpreh Guvernatori.