Pas më shumë se dy muajsh protestash, banorët e Krujës dhe Fushë Krujës tani kanë akses në autostradën Thumanë-Kashar. Kryetari i degës së PD-Demokratët Euroatlantikë Krujë, Sabah Sheta, njoftoi se sot u hap rruga, duke e cilësuar këtë një fitore për qytetarët e zonës.
Sheta theksoi se nga sot, mijëra biznese dhe 85 mijë banorë do të përfitojnë nga ky akses, i cili u mundësua fal rezistencës së fortë të banorëve. Ai përgëzoi ata që qëndruan të palëkundur për të siguruar të drejtat e tyre, duke theksuar se kjo është një dëshmi se qytetarët mund të fitojnë përballë arrogancës qeveritare.
“Konfirmohet fitorja e krutanëve. Sot u hap rruga, qytetarët kanë akses në rrugën Thumanë – Kashar
Sot është një ditë e shënuar për banorët e Bashkisë Krujë. Bashkëqytetarët e mi nga Kruja, Fushë -Kruja, Nikla, Cudhia, Bubqi dhe Thumana fituan përballë arrogancës qeveritare, kërkesa e tyre e drejtë triumfoi.
Nga sot mijëra bizneset e zonës dhe 85 mijë banorët e Bashkisë kanë akses në rrugën Thumanë-Kashar. Fal rezistencës epike, të jashtëzakonshme të vëllezërve dhe motrave krutane mundëm të fitojmë atë që na u mohua, e drejta e lëvizjes pa pagesë si dhe për të mos shkuar deri në Kashar dhe ardhur më pas në banesat tona.
Falenderimi dhe mirënjohja për ata që qëndruan, nuk u shitën as u blenë, që vunë Krujën të parën, para interesave të vogla meskine, që lanë çdo gjë dhe na u bashkuan në protestë është pak. Ne mundëm të gjunjëzojmë një pushtet sepse ishim në të drejtën tonë legjitime dhe morale, por e bëmë këtë gjë të gjithë së bashku.
Eshtë ky shembulli më i mirë se si fitohet një kauzë e drejtë, se si asnjë pushtet, asnjë regjim nuk mund t’i ndalojë qytetarët për të kërkuar atë që iu takon.
Duke iu falenderuar edhe njëherë apeli im është që të kemi Krujën të Parën!”, u shpreh ai.