Vendosni fjalën kyçe....

Lindja e Mesme në luftë, 12 momentet kyçe


Lindja e Mesme është në grahmat e krizës më të rrezikshme të rajonit në dekada.

Armiqësitë e nisura pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë dy muajve të fundit, duke e shtyrë Izraelin, Hezbollahun, Hamasin dhe Iranin më thellë në një luftë.

Fushat kryesore të betejës kanë qenë Gaza, Libani dhe Izraeli, por i gjithë rajoni është në prag.

12 çastet kryesore që përshkallëzuan konfliktin në Lindjen e Mesme

28 korrik: Bisedimet për armëpushim në Gaza ngecin në ngërç

SHBA-ja, Katari dhe Egjipti takuan shefin e spiunazhit izraelit, David Barnea në Romë, optimistë se ishin në prag të një përparimi për të nënshkruar një marrëveshje për të siguruar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza. Kjo u konsiderua gjithashtu kritike për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit e Hezbollahut. Por Izraeli paraqiti kërkesa të reja dhe që atëherë bisedimet kanë ngecur në ngërç.

30 korrik: Izraeli eliminon shefin ushtarak të Hezbollahut

Izraeli eliminoi Fuad Shukr, shefin ushtarak të Hezbollahut dhe të besuarin e Hassan Nasrallah, kreut të grupit, në një sulm në periferitë jugore të Bejrutit. Ishte hera e parë që Izraeli vuri në shënjestër një udhëheqës të Hezbollahut në kryeqytetin libanez që nga shpërthimi i luftës më 8 tetor, duke shënuar një përshkallëzim të rëndësishëm.

Luftëtarët e Hezbollahut marrin pjesë në funeralin e Fuad Shukr

31 korrik: Vritet shefi i Hamasit Ismail Haniyeh

Udhëheqësi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh u vra në një shpërthim në rezidencën ku po qëndronte në kryeqytetin Iranian Teheran, në një sulm për të cilin Irani fajësoi Izraelin. Udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei kërcënoi “reagim të ashpër” për vrasjen, e cila erdhi si një goditje për bisedimet mbi një marrëveshje armëpushimi për pengjet në Gaza me Haniyeh që ishte negociatori kryesor i Hamasit.

1 Shtator: Gjashtë pengje izraelite gjenden të vdekur në Gaza

Forcat izraelite gjetën trupat e gjashtë pengjeve të vrarë nga Hamasi në Gaza, duke shkaktuar zemërim në Izrael. Qindra mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeverisë së tij të ekstremit të djathtë, duke u kërkuar krerëve të tyre që të pranojnë një marrëveshje armëpushimi me Hamasin për të liruar pengjet e mbetura.

Në drejtim të akrepave të orës, nga lart majtas: Hersh Goldberg-Polin, Ori Danino, Eden Yerushalmi, Carmel Gat, Alexander Lobanov dhe Almog

17 Shtator: Sulmi me bipera në Liban e Siri

Mijëra bipera shpërthyen në gjithë Libanin ndërsa pajisjet që Hezbollahu përdori për të shmangur mbikëqyrjen u shndërruan në armë. Dymbëdhjetë njerëz u vranë dhe më shumë se 2,000 u plagosën në sulmin sabotues izraelit që goditi në zemër të rrjetit të komunikimit të Hezbollahut. Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut Volker Türk dënoi sulmin për ndikimin e tij mbi civilët.

18 shtator: Sulmi me radio marrësedhënëse

Radiot e dorës të përdorura nga Hezbollahu shpërthyen në ditën e dytë të shpërthimeve të pajisjeve elektronike, duke vrarë të paktën 25 dhe duke plagosur më shumë se 600. Sulmet radhazi në pajisjet e komunikimit tronditën Libanin dhe shkaktuan frikë dhe panik në të gjithë vendin.

19 shtator: Izraeli nis bombardimet në Liban

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se Izraeli ishte në “fillimin e një faze të re në luftën” me Hezbollahun, pasi ai e zhvendosi fokusin e tij nga konflikti i tij kundër Hamasit në Gaza në frontin verior. “Qendra e gravitetit” po lëviz drejt veriut – burimet dhe forcat po mblidhen në këtë front,” tha ai.

Tymi del nga vendi i një sulmi ajror izraelit në Libanin jugor

20 shtator: Eliminohet Ibrahim Aqili

Një sulm ajror izraelit në periferitë jugore të Bejrutit vrau komandantin e lartë të Hezbollahut, Ibrahim Aqil, themeluesin e Forcës Radëan të grupit të tij, si dhe anëtarë të tjerë të njësisë elitare. Ushtria izraelite tha se vrau “zinxhirin e lartë të komandës” të Radëanit, i cili është përgjegjës për inkursionet në Izrael dhe mbrojtjen e Libanit jugor kundër një pushtimi tokësor.

25 shtator: Hezbollah godet objektiva në Tel Aviv

Hezbollahu lëshon një raketë në Tel Aviv, kryeqyteti tregtar i Izraelit, për herë të parë. Ishte një nga sulmet më të thella të grupit militant në Izrael që kur filloi të gjuante përtej kufirit një ditë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Raketa u kap nga mbrojtja ajrore e Izraelit.

Një ndërtesë e dëmtuar në vendin e një sulmi ajror izraelit në Choueifat, Bejrut

27 shtator: Eliminohet Hassan Nasrallah

Izraeli nis një valë sulmesh në periferitë jugore të Bejrutit, duke vrarë Hassan Nasrallah, klerikun që kishte udhëhequr Hezbollahun për më shumë se tre dekada dhe ishte një nga aleatët më të ngushtë të Iranit. Një anëtar i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit u vra gjithashtu, pasi bombat izraelite rrafshuan të paktën gjashtë ndërtesa banimi.

1 tetor: Izraeli shpall ofensivën tokësore në Liban

Ushtria izraelite tha se kishte filluar të hynte në Libanin jugor dhe urdhëroi njerëzit të evakuoheshin nga pothuajse 30 qytete dhe fshatra atje. Më pas thirri katër brigada të tjera rezervë për “misione operacionale” kundër Hezbollahut.

Tanke të ushtrisë izraelite pranë kufirit Izrael-Liban

1 tetor: Irani lëshon breshëri raketash në Izrael

Irani lëshon rreth 180 raketa balistike në Izrael, duke synuar objektet ushtarake dhe të inteligjencës në Tel Aviv dhe rreth vendit. Pjesa më e madhe e breshërive të raketave u kap në ajër. Teherani tha se sulmi ishte për t’u hakmarrë për vrasjen e Nasrallah dhe një komandanti të lartë të rojeve në Bejrut, si dhe Haniyeh.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian  Manjani