Vendosni fjalën kyçe....

Mandati i Olta Xhaçkës, grupi parlamentar i PD-së kallëzon në SPAK Ramën e deputetët socialistë


Grupi parlamentar i PD-së ka kallëzuar në SPAK 73 deputetët e PS-së, kryeministrin Rama, kryetaren e Kuvendit Spiropali si dhe disa ministra.

Ata akuzohen për “pengim të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”, lidhur me mandatin e deputetes e ish-ministres socialiste Olta Xhaçka.

Ata e cilësojnë të papranueshme mbrojtjen politike dhe votën e deputetëve socialistë për të shpërfillur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës.

“Neni 81 i ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” specifikon se: “1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim. …4. Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.”. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka parashikuar dy vepra penale, që të garantuar zbatimin e vendimeve gjyqësore. Konkretisht, neni 320 i Kodit Penal parashikon se kryerja e veprimeve të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.”. Ndërkohë neni 320/a i Kodit Penal parashikon se mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, dhe kur kjo vepër kryhet për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin e grupit të PD-së.

“Në këtë kuptim, deputetët e kallëzuar nga ana jonë, përmes vendimeve nr. 41/2024 dhe 90/2024 të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, kanë kryer veprime aktive me qëllim që të mos ekzekutohet apo pengohet ekzekutimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nr. 1/2023 dhe 55/2024. Ky mosekzekutim është bërë pa shkaqe të përligjura, edhe pse ato shprehimisht kanë qenë të ngarkuara nga Gjykata Kushtetuese me ekzekutimin e këtyre vendimeve gjyqësore, me qëllim favorizimin e koleges së tyre Olta Xhaçka, që ka interes personal për mosekzekutimin e këtij vendimi”, vijon kallëzimi.