Vendosni fjalën kyçe....

Nis në GJKKO gjyqi ndaj Leonard Dukës për vrasjen e Santiago Malkos


Gjykata e Posaçme nisi sot seancën për të pandehurin Leonard Duka, i akuzuar si kreu i grupit të quajtur “Klani Duka” dhe akuzuar si organizatori i vrasjes së ish-policit Santiago Malko, në muajin Gusht të vitit 2019.

Leonard Duka u paraqit për herë të parë në seancë që pas arrestimit dhe ekstradimit nga Belgjika, ku ishte arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim. Ai u ekstradua në 2 Gusht të këtij viti nga Belgjika në Shqipëri.

Anëtarët e tjerë të grupit janë gjykuar dhe hetuar në mungesë, teksa ai pritet të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK, në këtë dosje.

Por seanca e sotme nuk kaloi pa incident, teksa ka qenë mamaja e të ndjerit Santiago Malko, e pranishme në sallën e gjyqit, që ka shpërthyer në ulërima dhe fyerje ndaj të pandehurit:

“O maskara, ma vrave djalin 25 vjeç, o qen! Si del ti aty…?!”, ishin akuzat e saj drejtuar Dukës.

Në seancën që u shoqërua me tensione, akuza dhe debate të forta mes palëve, i pandehuri tha:

“Deklarimet e mia do i jap pasi të njihem me aktet. Do i jap deklarimet një herë tjetër. Dua më shumë kohë”.

Kurse prokurori i dosjes së SPAK, Behar Dibra, u shpreh:

“E konsideroj si kërkesë të padrejtë. Ne ramë dakord seancën e kaluar që ai të fliste sot”.

Këtu ka ndërhyrë përsëri mamaja e Mamaja e Santiagos, duke shkuar më tej me akuzat:

“Nuk ka çfarë lexon fare. Burgim me vdekje!”

Gjyqtarja Rudina Palloj pasi konstatoi ndërhyrjen nga salla i tërhoqi vëmendjen:

“Kërcënimet janë të ndaluara në sallë të gjyqit!”.

Teksa më tej nënvizoi se “meqenëse i pandehuri shfaqi pëlqim për t’u pyetur, por kërkoi kohë, vlerëson se nuk mund ta detyrojë atë të pyetet”.

“Është çështje vullneti. Në këto kushte do i jepet kohë”, tha gjyqtarja e çështjes.

Avokatja e Dukës shprehu dakordësi, por shtoi se “sot nuk jemi gati, por seancën e radhës vijojmë prapsimet dhe kur klienti të jetë gati të përgjigjet”.

Këtu ka ndërhyrë edhe vetë i pandehuri Leonard Duka, duke hedhur në mënyrë të befasishme akuzë ndaj prokurorit Dibra:

“Prokurori është i njëanshëm, më akuzon si organizator i vrasjes së Santiago Malkos. Dhe kam vënë re që do të më dënojë… Prokurori mos të korruptohet nga kriminelet e vendit por të bëjë detyrën. Prokurori po kërkon të më dënojë pa fakt, pa asgjë”.