Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviç, në Beograd, për të biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, tha ushtria serbe.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha në një komunikatë se Mojsilloviç tha në takim me Ulutashin se gjendja e sigurisë në Kosovë “është ende e paqëndrueshme dhe e ndjeshme, gjë që kryesisht kontribuohet nga lëvizjet e njëanshme dhe provokuese” të Kosovës.
Mojsilloviçi pretendoi, pa dhënë dëshmi, se vendimet e autoriteteve kosovare “në fund synojnë ndryshimin e strukturës etnike” në veri të Kosovës.
Serbia është zemëruar nga vendimet e muajve të fundit të autoriteteve kosovare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Autoritetet kosovare i cilësojnë ato se të jashtëligjshme dhe kundër kushtetuese, ndërsa Beogradi i ka dënuar si “veprime kriminale” dhe përpjekje “për përndjekjen e serbëve” të Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar Kosovën për veprime “të njëanshme dhe të pakoordinuara” në veri të vendit.
Bashkëpunimi i Ushtrisë Serbe me KFOR-in
Ministria serbe e Mbrojtjes theksoi se gjatë takimit ndërmjet Mojsilloviçit dhe Ulutashit u diskutua edhe për shtrirjen e bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe KFOR-it gjatë mandatit të Ulutashit në krye të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Mojsilloviç falënderoi gjeneralin Utulash për “bashkëpunimin korrekt dhe profesional dhe përfshirjen profesionale” në detyrat e tij si komandant i KFOR-it, thuhet në njoftim.
Ulutas do të përfundojë angazhimin e tij njëvjeçar në atë pozicion javën e ardhshme.
Komandanti i ri i KFOR-it do të jetë Enrico Barduani, një gjeneralmajori italian, i cili më 11 tetor do të marrë detyrën e njeriut të parë të misionit paqeruajtës në Kosovë.
Javën e kaluar, KFOR-i dhe Ushtria e Serbisë kryen një patrullë të sinkronizuar në dy anët e kufirit të Kosovës me Serbinë, pranë komunës së Podujevës.
Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e quan kufirin me Kosovën vijë administrative.
Zona e Sigurisë Tokësore mes Kosovës dhe Serbisë është prej 5 kilometrash dhe është përcaktuar në Marrëveshjen Teknike të Kumanovës.
Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës./REL