Vendosni fjalën kyçe....

Apeli lë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Alda Klosin, sanitaren Rozeta Dobi dhe djalin e saj


Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin prej 2.6 viteve burg për Alda Klosin. Ajo përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe si rezultat u dënua përfundimisht me 1.8 vite burg.

Po ashtu, Apeli ka lënë në fuqi dënimin e pastrueses së Klosit, Rozeta Dobi, e cila u dënua me 4.8 vite burg, dhe djalit të saj, Havier Dobi, i cili mori 3 vite burg.

Arrestimi i ish-zyrtares së lartë ndodhi pas një hetimi të nisur nga kallëzimi i saj për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë.

Vendimi:

Më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, tek pallati “Orion”, është vjedhur banesa e shtetases me iniciale A. K. Për kryerjen e kësaj vepre panale, është akuzuar pastruesja e saj me iniciale R. D si dhe djali i kësaj të fundit me iniciale H. D.

Në përfundim të hetimeve paraprake Prokurirsa pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, paraqiti kërkesën, me objekt:

1.       Dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 9220/2022, kundër:

(i)                 të pandehurës me iniciale R. D, e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes” me pasoja të rënda, në bashkëpunim dhe “Vjedhjes ” më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 134/3 – 25 dhe 134/2 të K. Penal,

(ii)              të pandehurit me iniciale H. D, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, të parashikuar nga nen1 134/3 – 25 të Kodit Penal,

(iii)            të pandehurës me iniciale A. K (Ç), e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.

2.      Pushimin e hetimeve të procedimit penal nr. 9220/2022 për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 287/1 dhe 305/b të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).

I.            Në lidhje me kërkesën për pushim si më sipër treguar, Gjykata e Shkallës së Parë të  Juridiksionit të Përgjithshëm, (gjyqtari i seancës paraprake) me vendimin datë 04.03.2024 ka vendosur:

–          Pranimin pjesërisht të kërkesës së prokurorisë.

–          Pushimin e hetimeve të procedimit penal nr. 9220 të viti 2022 me person nën hetim  A. K (Ç), për veprën penale “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b të Kodit Penal.

–          Kthimin e akteve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1  të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).

Ndaj këtij vendimi, ka bërë ankim:

-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka kërkuar ndryshimin pjesërisht të vendimit. Pushimin e hëtimeve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1  të Kodit Penal, ndaj personit nën hetim A. K (Ç).

– Personi nën hetim A. K (Ç), e cila kërkoi prishjen pjesërisht të vendimit. Pushimin e gjykimit  për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1  të Kodit Penal.

Ankimet e mësipërme janë në pritje për gjykim, pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

II.            Në lidhje me kërkesën për gjykim,  në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është gjykuar çështja penale  ndaj tre të pandehurve  R. D, H. D dhe  A.K (Ç).

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 665, datë 19.03.2024 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtore të të pandehurës R. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 6 (gjashtë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtore të të pandehurës R. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.

3. Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm prej 7 (shtatë) vjet burgim.

4. Në bazë të nenit 406 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurin R. D me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

5.Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës R. D nga data e arrestimit në flagrancë datë 07.01.2023

6. Vuajtja e dënimit të vuhet nga e pandehura R. D në një burg të sigurisë së zakonshme.

7. Deklarimin fajtor të të pandehurit H. D për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

8. Në bazë të nenit 406 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurin H. D me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

9. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurit H. D nga data e ndalimit  datë 07.01.2023

10. Vuajtja e dënimit të vuhet nga i pandehuri H. D në një burg të sigurisë së zakonshme.

11. Deklarimin fajtore të të pandehures A. K (Ç) për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 2 (dy) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

12. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurën A. K (Ç) me 1 (një) vit e  8 (tetë)  muaj burgim.

13. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës A. K (Ç) nga data e ndalimit datë 07.02.2023.

Ndaj vendimit kanë bërë ankim:

–          E pandehura me iniciale A. K (Ç), e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm.

–          E pandehura me iniciale R. D, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, dhënien e një dënimi më të butë.

–          I pandehuri me iniciale H. D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit. Deklarimin  fajtor për veprën penale të “Vjedhjes” dhe aplikimin  e nenit 406 të K.Pr.Penale. Në zbatim të nenit 59 dhe 60/9 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e pavuajtur të dënimit, duke e vënë në provë të pandehurin.

Në përfundim të gjykimit, më datë 02.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare z. Fuat Vjerdha dhe anëtare z. Genti Shala dhe z. Genti Dokollari, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit Nr. 665, datë 19.03.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM