Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë miraton me “operacion rrufe” shtrëngimin e kreditimit nga mikrofinanca


Banka e Shqipërisë miratoi në mbledhjen e ditës së mërkurë disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, që pritet të sjellin një shtrëngim të ndjeshëm në praktikat e huadhënies së institucioneve të mikrofinancës.

Projektrregullorja u ishte dërguar për konsultim palëve të interesit vetëm në gjysmën e dytë të muajit të kaluar, ndërsa me një proces të përshpejtuar dhe jo të zakonshëm në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, ndryshimet u miratuan në mbledhjen e datës 2 tetor.

Sipas njoftimit zyrtar, këto ndryshime erdhën në kuadër të paketës së ndryshimeve rregullative për mbrojtjen e konsumatorëve, si reagim i Bankës së Shqipërisë ndaj disa çështjeve të hasura në tregun ku këto institucione operojnë.

Banka e Shqipërisë shprehet se ndryshimet e rregullores përcaktojnë parime të përgjithshme në procesin e kryerjes së analizës financiare ndaj kredimarrësve konsumatorë, ku theks i veçantë vendoset në vlerësimin e qëndrueshmërisë së të ardhurave dhe kapacitetit pagues të kredimarrësit, si dhe synohet parandalimi i praktikave të kredidhënies së papërgjegjshme për të shmangur vështirësitë e panevojshme financiare dhe situatat e mbiborxhit për konsumatorët.

Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e disa kërkesave të shtuara për vlerësimin e aftësisë paguese të kredimarrësve në kontratat e kredive konsumatore për subjektet financiare jobanka në veprimtarinë e kredidhënies dhe për institucionet financiare të mikrokredisë, përfshirë edhe detyrimin për subjektet që përpara dhënies së një kredie dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj të kryejnë vlerësimin e aftësisë paguese të konsumatorëve, bazuar në të dhëna dhe informacione të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara, të cilat duhet të verifikohen në mënyrë të arsyeshme nga subjekti.

Gjithashtu pjesë e ndryshimeve është edhe shtimi i një kërkese për subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme, të cilat në momentin e klasifikimit të portofolit të këtyre kredive nuk mund t’i klasifikojnë si kredi jo me probleme, nëse shlyerja e kësteve të kredive të blera bëhet nëpërmjet një kredie. Këto ndryshime hyjnë në fuqi më 1 janar 2025.

DSTI maksimal rritet nga 40% në 60%

Varianti i miratuar i rregullores së re nuk është publikuar ende, megjithatë, sipas burimeve të “Monitor”, Banka e Shqipërisë ka pranuar të reflektojë disa komente të argumentuara nga institucionet financiare.

Ndryshimi më i rëndësishëm në raport me variantin fillestar, të hedhur për konsultim, është se raporti i shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI) do të ketë një nivel tavan të lejuar prej 60%, nga 40% që ishte në variantin e hedhur për konsultim.

Mbështetur në parashikimet e rregullores, një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës.

Institucioni financiar, në llogaritjen e të ardhurave për qëllime të vlerësimit të aftësisë paguese të konsumatorit, merr në konsideratë të ardhurat e tij bazuar në të dhënat e të paktën 6 muajve të fundit përpara momentit të kryerjes së analizës financiare. Në rastin e të ardhurave të pritshme, rritja në të ardhura do të konsiderohet vetëm kur ekzistojnë evidenca të shkruara.

Rregullorja parashikon gjithashtu edhe kërkesa më të detajuara dhe rigoroze të administrimit të rrezikut mbi huadhënien konsumatore.

Institucioni financiar, përpara se të lidhë një kontratë kredie dhe gjatë procesit të monitorimit të kredisë në kohëzgjatjen e saj, duhet të vlerësojë aftësinë paguese dhe profilin e rrezikut të kredimarrësit, bazuar në të dhëna të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara.

Kërkesat e reja, që parashikojnë vlerësimin e detajuar të afëtsisë paguese pritet ta vështirësojnë shumë dhënien e kredive vetëm me një dokument identiteti brenda afateve kohore shumë të shpejta (në harkun e pak minutave), praktikë që ndiqet gjerësisht nga disa institucione të mikrofinancës konsumatore.

Kufizime të tjera eksplicite të parashikuara në rregullore janë që institucionet financiare jobanka nuk mund të lidhin lidh kontrata të kredisë konsumatore me persona nën moshën 18 vjeç; nuk mund të lidhin kontrata të kredisë konsumatore me persona të cilësuar me aftësi të kufizuara, ose me persona të cilët marrin vendime nën asistencën e një personi tjetër, kufizime të cilat ndikojnë në mosshlyerjen e detyrimit të kredisë; nuk mund të lidhin kontrata të kredisë konsumatore gjatë fashës orare 22:00 deri në 07:00; nuk mund të lidhin kontrata të kredisë konsumatore me persona të cilët rezultojnë në regjistrat e krijuar nga subjektet për personat që nuk lejohen të lidhin një kontratë kredie.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor