Kreu i grupit parlamentar demokrat Bardhi tha nga jashtë sallës së Kuvendit se deputetët e PD-së janë përjashtuar pa rregullore, njësoj si deputetët e burgosur të opozitës që dënohen pë ligj.
Në një deklaratë për mediat, demokrati i përjashtuar për 60 ditë nga punimet e Kuvendit tha se Parlamenti ka rënë dhe se regjimi i kryeministrit Rama nuk njeh as ligj, as rregullore, as Kushtetutë.
Në fund Bardhi tha se deputetët e PD-së do sillen si t’u teket ndaj çdo godine ku strehohet krimi i organizuar.
“Cilido që di të lexojë shqip, përjashtimi i 24 deputetëve nuk parashikohet në rrethanat që njeh Rregullorja e Kuvendit. Njëlloj si deputetët e burgosur të opozitës që janë burgosur pa ligj, ashtu edhe deputetët u përjashtuan pa rregullore. Ky regjim nuk njeh ligj, rregullore dhe Kushtetutë. Ne kemi vendosur t’i qëndrojmë përballë regjimit të Ramës. Kryetarja e Kuvendit hyri si mi në Parlament, mjafton të mblidhen te vila e bollshme e pajustifikuar e Edi Ramës në Surrel dhe i miratojnë ligjet. Parlamenti ka rënë, jemi në një regjim ku deputetët e opozitës nuk lejohen të hyjnë në Kuvend nga forcat e sigurisë. Asgjë më shumë nuk bën Putini në Rusi. Rama tipiku i politikanit që fshihet pas grave, pas deputetëve, pas politikanëve, sjell deputetët si dele dhe vetë fshihet në Surrel. Hap pas hapi, do të sillemi si të na teket, ndaj kësaj godine, ndaj Kryeministrisë dhe çdo godine tjetër ku strehohet krimi i organizuar”, tha Bardhi.