Shtyrje, sharje e përplasje shoqëruan nisjen e seancës së sotme parkamentare, teksa kësaj radhe e gjitha ndodhi jashtë dyerve të Kuvendit pas përjashtimit të 24 deputetëve të PD-së.
Ashtu siç kishin paralajmëruar në seancën e shkuar, po edhe në deklaratat publike pas kaosit të të hënës, demokratët lëshuan akuza ndaj kryeministrit Rama, kryetares së Kuvendit Spiropali e deputetëve socialistë.
Prologu
Demokratët u paraqitën në dyert e Kuvendit rreth 90 minuta para nisjes së seancës, megjithatë më herët aty ishin rreshtuar efektivë të Gardës që kishin bllokuar hyrjen kryesore si dhe katër hyrjet e tjera.
Grupi i parë i deputetëve u shty me gardistët po me mbërritjen e Sekretarit të PD-së Noka e kreut të grupit parlamentar Bardhi, tensionet u shtuan.
Përplasja me gardën e deputetët e PS-së
Deputetët e PD-së u shtynë me efektivët e Gardës që nuk i lejonin të hynin brenda, ndërsa demokratët zunë hyrjen kryesore si dhe katër hyrjet e tjera të Kuvendit për të pamundësuar futjen e deputetëve socialistë.
Në disa episode ata u shtynë me deputetët e PS-së. Në një rast Noka debatoi me socialistin Gjini me këtëtë fundit që tha: “Nuk ka bir k*rve të më pëngojë të futem në Kuvend.”
Ndërsa Noka qëndronte në hyrjen kryesore me një grup deputetësh, në hyrjen tjetër ishin pozicionuar Bardhi e deputeti Nallbati.
Makina e Spiropalit vjen në Kuvend por largohet
Ndërsa makina e kryeparlamentares Spiropali erdhi në Kuvend ajo u larguar pak çaste më pas mes tensioneve të larta në sheshin para godinës.
Bardhi e Noka akuza socialistëve
Kreu i grupit parlamentar demokrat Bardhi e Sekretari i PD-së lëshuan akuza të ashpra ndaj kryeministrit Rama, Spiropalit e deputetëve socialistë teksa deklaruan se parlamenti ka rënë dhe se PS-ja nuk njeh as ligj, as rregullore dhe as Kushtetutë ndërsa paralajmëruan ashpërsim të aksioneve opozitare.
Epilogu
Pas përplasjeve, deputetët e PS-së arritën të futen në sallë dhe vijuan të vetëm seancën ndërsa demokratët u larguan.
Nga brenda, kryetarja e Kuvendit Spiropali dënoi veprimet e demokratëve, ndërsa jashtë Noka e deputetët e tjerë demokratë i vunë flakën katër manekinëve me fotot e kryeministrit Rama, të vëllait, Olsi, ish-ministrit Xhafaj e të vëllait Agron (Geron) Xhafaj.