Deputeti i opozitës Dash Shehi e kritikoi ashpër strategjinë e PD-së për kaos e rrëmujë në parlament. dhe strategjinë për mosbindje civile.
Ai tha se parlamenti mbetet institucioni i vetëm dhe më i fortë i jetës politike opozitare.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, kreu i LZHK-së i quajti tejet vetëvrasëse strategjinë e paralajmëruar të opozitës duke sjellë si shembuj daljen nga parlamenti të saj në vitin 2017 e 2019, gjë që i kushtoi shumë asaj.
“Edhe seriozisht, edhe thjeshtësisht vetëm ata që janë budallenj s’e kuptojnë ëkëtë punë. Parlamenti është institucioni më i fortë i jetës opozitare. Nëse kjo tavolina është 360 gradë, edhe opozita duhet të jetë 360 gradë. Gjysma e jetës së rezistencës opozitare është parlamenti dhe kush do t’ia heqë parlamentin opozitës para zgjedhjeve, me lloj-lloj strategjish nuk ka rëndësi, është jashtëzakonisht gabim, i bën një dëm të madh opozitës. Këtë bëri z. Basha në vitin 2019, dolëm dy vjet nga parlamenti, parlamenti u mbush me groteskun që keni pa atje. Disa kanë hyrë prapë aty, vejnë edhe zjarr. Të njëjtë gjë kemi bë në 2017-ën kemi ndejt në çadër atje 4-5 muaj. Kjo rrugë ka treguar që jo vetëm nuk është produktive, po është vetëvrasëse për opozitën. Po pse e bëjnë? Në parlament ka vend edhe për zëra të tjerë ndërsa këtë zhurmën, mosbindjen civile atje e bën vetëm ky grupi. S’ka më hapësirë politike për të tjerët. Kjo e para, që ta dini dhe është strategji që bëhet prej shumë vitesh dhe kjo besoj se do jetë hera e fundit.” – tha Shehi.
Ai shtoi se parlamenti është vendi ku bëhet lufta politike dhe aty janë denoncuar të gjitha skandalet e qeverisë duke përmendur mes të tjerave audiopërgjimin e Salianjit, cështjen e inceneratorëve nga Tabaku apo përgjimet në Sky ECC nga Bardhi.
“Pastaj pse e zhvlerësoke parlamentin? Tha ajo zonja, ajo është një mjeke dhe grua shumë e mirë. Parlamenti nuk ka vlerë tha, është për të qeshur, për të qarë etj. Po ku e denoncoi Salianji atë atëherë që është bërë hero i situatës? Në parlament e denoncoi. Jo vetëm ai, po e kemi mbajt të gjithë nga një fjalë ne atëherë se u bë heroike kjo punë. Po ajo zonja Tabaku ku e denoncoi atë të inceneratorit? Në parlament e denoncoi. Po ky Bardhi ku i denoncoi ato përgjimet? Në parlament. Ja edhe ky sa i lezeçëm, e mbyllim parlamentin shkojmë ke Fevziu. Si i bie kjo.” – tha Shehi.