Gjykata e Lartë do shqyrtojë në datën 15 Tetor, ora 13:20, kërkesën për pezullimin e vendimit të dënimit me 1 vit burg, të depozituar nga deputeti Ervin Salianji, nëpërmjet avokatëve mbrojtës.
Sokol Binaj, sipas shortit është caktuar, do të jetë relatori i çështjes, ndërsa kërkesa do shqyrtohet në dhomë këshillimi.
Salianji ndodhet aktualisht në Burgun e Fierit që prej datës 26 shtator, për veprën penale “kallëzim i rremë”, në lidhje me dosjen “Babale”.
Katër ditë pas dënimit me burg, ish-deputeti kërkoi pezullimin e vendimit të Apelit.
“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor1, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit.
Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale. Besimi me votë që i ka dhënë populli, pavarësisht një vendimmarrje gjykate të dhënë më parë, është tregues i veçantisë që ka rasti objekt shqyrtimi, për më tepër që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”, thuhet ne shkresen drejtuar Gjykates se Larte.