Të paktën 70 persona janë vrarë në një masakër nga bandat në Haiti, ka raportuar Kombet e Bashkuara.
Anëtarët e armatosur të bandës Gran Grif kaluan nëpër qytetin Pont-Sonde të enjten, të pajisur me armë automatike, dhe hapën zjarr mbi banorët, sipas Zyrës së të Drejtave të Njeriut të OKB-së.
“Jemi të tronditur nga sulmet e së enjtes në qytetin Pont-Sonde në rajonin Artibonite të Haitit,” tha një zëdhënës i OKB-së, përcjell Sky News.
Sipas OKB-së, të paktën 16 persona janë plagosur rëndë gjatë sulmit, ndërsa bandat thuhet se kanë vënë zjarrin në të paktën 45 shtëpi dhe 34 automjete, duke detyruar banorët të largohen me shpejtësi.
Gratë dhe fëmijët mes viktimave
Në rrugët e Pont-Sonde, trupa të pajetë ishin të shpërndarë, shumë prej tyre të qëlluar në kokë, sipas një përfaqësuese të Komisionit për Dialog, Pajtimin dhe Ndërgjegjësimin për të Shpëtuar Artiboniten, e cila foli për radion Magik 9.
Midis viktimave ishin një nënë e re, foshnja e saj dhe një mamí. Në total, thuhet se 10 gra dhe tre fëmijë janë midis të vrarëve.
Video nga sulmi tregonte qindra njerëz që vraponin për të shpëtuar jetën.
Motivi për këtë masakër të madhe mbetet i paqartë, megjithatë sulme të tilla janë të zakonshme në kryeqytetin Port-au-Prince, ku 80% e qytetit kontrollohet nga banda.
Qeveria reagon ndaj masakrës
Qeveria haitiane ka dërguar një njësi elitare policore nga kryeqyteti në Pont-Sonde pas sulmit dhe ka furnizuar spitalin e vetëm të zonës me materiale mjekësore, pasi ai u mbingarkua me dhjetëra të plagosur.
Kryeministri Garry Conille e dënoi sulmin, duke e cilësuar si një “krim të tmerrshëm” ndaj grave, burrave dhe fëmijëve të pafajshëm, një akt që “sulmon jo vetëm këta viktima, por mbarë kombin haitian.”
Udhëheqësi i bandës fajëson viktimat dhe shtetin
Në një mesazh audio të publikuar të enjten, lideri i Gran Grif-it, Luckson Elan, i cili ishte sanksionuar nga OKB-ja muajin e kaluar, fajësoi shtetin dhe vetë banorët për sulmin, duke i akuzuar ata për pasivitet ndërsa ushtarët e tij vriteshin nga policia ose grupet vullnetare.
“Janë banorët e Pont-Sonde që kanë faj,” deklaroi ai, pa dhënë prova.