Izraeli e ka shpallur Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres si “persona non grata” pasi ai bëri thirrje për një armëpushim pas sulmit të Iranit ndaj shtetit hebre dhe dënoi zgjerimin e luftës në Lindjen e Mesme.
Të martën, Teherani lëshoi disa raketa në atë që Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e quajti përgigjje ndaj vrasjeve të fundit izraelite të krerëve të Hamasit dhe Hezbollahut, dhe të një gjenerali iranian që ndodhej në Liban.
Në një deklaratë në X të mërkurën, Ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz njoftoi se Guterres nuk lejohet më të hyjë në vend dhe akuzoi shefin e OKB-së për mosdenoncimin e “sulmit të neveritshëm” të Iranit.
“Kushdo që nuk mund të dënojë pa mëdyshje sulmin e urryer të Iranit ndaj Izraelit, siç ka bërë pothuajse çdo vend në botë, nuk meriton të shkelë në tokën izraelite”, shkroi ministri.
Guterres gjithashtu duhet “ende të denoncojë masakrën dhe mizoritë seksuale të kryera nga vrasësit e Hamasit më 7 tetor” dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta shpallur grupin militant palestinez një organizatë terroriste, shtoi diplomati izraelit.
Ministri vazhdoi të pretendonte se Guterres “do mbahet mend si një njollë në historinë e OKB-së për mbështetjen e terroristëve, përdhunuesve dhe vrasësve nga Hamasi, Hezbollahu, Houthit dhe tani Irani”.
Pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, Guterres tha në një postim në X se ai ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar me përshkallëzimin e luftës në Liban” dhe dënoi zgjerimin e përgjithshëm të përplasjes në Lindjen e Mesme.
“Kjo duhet të ndalet,” shkroi Sekretari i Përgjithshëm, duke theksuar se “ne kemi nevojë absolutisht për një armëpushim”.