Vendosni fjalën kyçe....

Khamenei: Irani dhe aleatët e tij nuk do të zmbrapsen nga Izraeli


Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei, tha të premten se vendi i tij dhe mbështetësit rajonalë nuk do të zmbrapsen para Izraelit, në një paraqitje vetëm disa orë pas një sulmi izraelit në Bejrut, që mendohet të ketë shënjestruar trashëgimtarin e udhëheqësit të vrarë të Hezbollahut të mbështetur nga Teherani.

“Veprimi brilant i forcave tona të armatosura disa net më parë, ishte plotësisht i ligjshëm dhe legjitim”, tha udhëheqësi iranian Khamenei në një paraqitje të rrallë në lutjet e së premtes në Teheran, duke iu referuar sulmeve me raketa të Iranit mbi Izraelin të martën.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të enjten se përgjigja e Izraelit mund të përfshijë goditjet në objektet e naftës të Iranit.

Zona jugore e Bejrutit, Dahiye, një fortesë e Hezbollahut të mbështetur nga Irani, u gjet nën sulme të reja afër mesnatës të së enjtes, pasi Izraeli urdhëroi banorët të largoheshin nga shtëpitë e tyre në disa zona.

Sulmet ajrore kishin në shënjestër zyrtarin e Hezbollahut, Hashem Safieddine, pasardhësin e përfolur të udhëheqësit të tij të vrarë Hassan Nasrallah, në një bunker nëntokësor, tha në rrejtin X, reporteri i Axios, Barak Ravid, duke cituar tre zyrtarë izraelitë. Nuk dihet asgjë për fatin e Safieddinit, shkroi ai.

Ushtria izraelite nuk pranoi të komentonte dhe as Hezbollahu nuk bëri asnjë koment mbi fatin e Safieddinet, vëllai i të cilit Sayyed Abdallah Safieddine, i cili është përfaqësuesi i Hezbollahut në Iran, mori pjesë në fjalimin e Khameneit në Teheran.

Shpërthime të fuqishme tronditën zonën në afërsi të aeroportit kryesor të Bejrutit në orët e para të së premtes dhe civilët libanezë thanë se po jetonin në frikë të vazhdueshme.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se nuk beson se do të ketë një “luftë gjithëpërfshirëse” në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli po shqyrton mundësitë për hakmarrje, por sipas tij, duhet bërë më shumë për të parandaluar një gjë të tillë./VOA