Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Tatimeve, z. Ilir Binaj.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj tha se Administrata Tatimore ka nevojë për një qasje të re menaxheriale, veçanërisht në kuadër të proceseve integruese.
Prioritet i punës do të jetë jo vetëm përsosja e performancës, cilësia e shërbimeve ndaj tatimpaguesve, por edhe garantimi i zbatimit me sukses i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, që do të shërbejë si një udhërrëfyes për miradministrimin fiskal dhe rritjen e të ardhurave.
Ministri Malaj i shprehu mirënjohjen drejtoreshës së Komanduar, znj. Elidjana Çela, e cila do të vijojë tashmë të mbajë detyrën e Drejtoreshës së Tatimpaguesve të Mëdhenj, për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ushtrimit të detyrës.
Nga ana e tij, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Ilir Binaj, vlerësoi besimin e dhënë dhe kërkoi angazhim të shtuar sa i përket përmirësimit administrativ, luftës kundër evazionit fiskal dhe informalitetit.
Z. Binaj ka një karrierë të spikatur akademike dhe profesionale në fushën e Kontabiltetit.
Ai është anëtar i Institutit Amerikan të Kontabilistit Publik të Certifikuar (AICPA), anëtar i Institutit të Audituesve të Brendshëm (IIA), Kontabilist i Certifikuar Publik (CPA) në Kaliforni, Kontabilist i Certifikuar Global i Menaxhimit (CGMA) në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ekspert i Autorizuar i Kontabilitetit (EKR) në Shqipëri.