Pas SPAK-ut, ILD-së e Gjykatës Kushtetuese edhe Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të mos jetë pjesë e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion apo siç njihet ndryshe “Komisioni Xhafaj”.
Në qëndrimin e saj, Prokuroria e Përgjithme thekson se është e gatshme të bashkëpunojë duke thënë opinionin e saj për sa i përket kuadrit kushtetues ligjor të drejtësisë.
Megjithatë kundërshton uljen në tryezë me ekspertë si pjesë e grupit të punës.
“Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtesisë. Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij”, thuhet në reagimin për Report Tv.