Reperi Sean Combs, i njohur gjithashtu si P. Diddy ose Puff Daddy, po përballet me akuza për sjellje të pahijshme seksuale nga 120 akuzues të tjerë, me disa që pretendojnë se kanë qenë të mitur në kohën e veprave të supozuara, sipas avokatit Tony Buzbee, i cili përfaqëson paditësit.
Fituesi i trefishtë i çmimit Grammy 54-vjeçari dhe producenti i shquar i hip-hop-it tashmë po përballet me akuza penale për trafik të dyshuar seksual, posedim droge dhe armëmbajtje pa leje. Muajin e kaluar, ai u arrestua në një hotel në Nju Jork dhe që atëherë është burgosur në Qendrën e Paraburgimit Metropolitane në Brooklyn, pasi i është mohuar lirimi me kusht.
Aktakuza kundër Combs pretendon se ai përdori ndikimin e tij në industrinë e argëtimit për të krijuar një “ndërmarrje kriminale, anëtarët dhe bashkëpunëtorët e së cilës u përfshinë dhe u përpoqën të përfshiheshin, mes krimeve të tjera, në trafikim seksual, punë të detyruar, rrëmbim, zjarrvënie, ryshfet, dhe pengim të drejtësisë”.
Reperi pritet të përballet me një tjetër valë padish, të cilat sipas Buzbee pritet të ngrihen brenda muajit të ardhshëm. Avokati me bazë në Houston ka deklaruar se akuzat kundër Combs shtrihen që nga viti 1991 dhe se aktualisht ka gjithsej 60 akuzues meshkuj dhe 60 femra. Ai pretendon se 25 prej tyre kanë qenë të mitur kur dyshohet se janë dhunuar. Një person ka thënë se ai ishte vetëm nëntë vjeç në atë kohë.
“Sekreti më i madh në industrinë e argëtimit, që me të vërtetë nuk ishte fare sekret, më në fund i është zbuluar botës,” tha avokati, duke vënë në dukje se sjellja e Combs ndër vite kishte krijuar “një masë individësh të lënduar e të frikësuar”.
Buzbee tha se shumica e padive do depozitohen në Nju Jork dhe Los Anxhelos, ku kanë ndodhur shumica e veprave penale dhe se raste shtesë janë gjithashtu duke u shqyrtuar.
“Emrat që ne do zbulojmë që do ju shokojnë,” tha Buzbee.
Combs ka mohuar me forcë akuzat kundër tij, ndërsa avokatët e tij e kanë përshkruar rastin si një “procedim të padrejtë”.