Shqipëria ka hapur zyrtarisht ambasadën në Ukrainë. Lajmi është bërë me dije nga një njoftim i publikuar në faqen zyrtare të ministrisë së Jashtme të Ukrainës, ambasadori i Shqipërisë në Kive, Ernal Filo i ka dorëzuar letrat kredenciale zv/ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Yevhen Perebijnis.
Perebijnis uroi Filon për nisjen e misionit të tij diplomatik dhe përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare për të hapur ambasadën.
“Ky është një hap historik nëhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes Ukrainës dhe Shqipërisë”, tha ai.
Zv/ministri ukrainas shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në luftën kundër Rusisë.
“Ata diskutuan për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Formulën e Paqes së Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, mbështetjen e vendit për anëtarësimin e Ukrainës në NATO si dhe ndërveprimin e dy shteteve në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, njoftoi ministria e Jashtme ukrainase.
Ndërkohë, ambasadori shqiptar ka siguruar qëndrimin e pandryshueshëm të Shqipërisë në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës si dhe ka konfirmuar vullnetin për të zhvilluar më tej marrëdhëniet miqësore.