Forcat e Shteteve të Bashkuara kanë kryer sulme ajrore ndaj 15 objektivave në zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi në Jemen.
Sipas një deklarate nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), sulmet u zhvilluan të premten rreth orës 17:00 me kohën lokale në Sana’a dhe përfshinë kapacitete ushtarake sulmuese të Houthi-t.
Këto sulme janë kryer për të mbrojtur lirinë e lundrimit në ujërat ndërkombëtare dhe për të rritur sigurinë për anijet amerikane, ato të koalicionit dhe anijet tregtare.
“Këto veprime u ndërmorën për të bërë ujërat ndërkombëtare më të sigurta dhe për të mbrojtur lirinë e lundrimit,” u tha në deklaratën e ushtrisë amerikane.
Rebelët Houthi, të cilët mbështeten nga Irani, kanë përkeqësuar situatën e sigurisë në rajon, duke kërcënuar lundrimin dhe tregtinë ndërkombëtare në Gjirin e Adenit dhe Detin e Kuq.
Në këtë kontekst, ndërhyrja e SHBA-së vjen si një përpjekje për të parandaluar sulmet e mëtejshme ndaj anijeve tregtare dhe atyre ushtarake në këtë zonë të rëndësishme strategjike.
The Guardian raportoi se nuk kishte përfshirje nga forcat britanike në sulmet ajrore të premten.