Vendosni fjalën kyçe....

Vlora dhe Fieri nën ujë, përmbyten rrugë dhe biznese


Në Vlorë dhe Fier, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në banesa dhe biznese, duke sjellë shqetësime për situatën.

Disa akse rrugore janë të përmbytura, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Në Vlorë, rrugët “Hasan Kushta” dhe “Gjergj Araniti”, si dhe zona pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike, janë mbuluar nga ujërat e shumtë, duke krijuar probleme në lëvizjen e mjeteve.

Po ashtu, rruga lidhëse e autostradës Vlorë-Fier me Transballkaniken është përmbytur, duke ndikuar më tej në qarkullimin rrugor.

Për të normalizuar situatën është ndërhyrë nga punonjës të shërbimeve të bashkisë Vlorë në hapjen e pusetave dhe kanalizimeve, por situata vijon të jetë e rënduar.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, bashkia e Vlorës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangni lëvizjet me makina që nuk janë të domosdoshme në disa zona në qytet.

“Ju bëjmë thirrje të jeni vigjilentë dhe të mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë si: “Albano&Romina”, Biblioteka Publike, pranë Kishës Orthodhokse, në “Skelë” te dykalimshi. Grupet tona të Ujësjellës Kanalizime dhe Bashkisë së Vlorës, do të jenë në terren në monitorimin e situatës dhe në ndërhyrje sipas rastit nëse do të jetë e nevojshme”, thuhet në njoftim.