Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Është kriminale që të sëmurëve me tumore iu fillohet dhe ndërpritet më pas terapia për shkak të mungesës së ilaçeve


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kritikuar ashpër sistemin e shëndetësisë në Shqipëri, duke e cilësuar “shëndetësinë falas” si një “mashtrim të madh dhe të pabesë.”

Në një konferencë për shtyp të organizuar nga selia e PL në kuadër të “Tetorit rozë”, muajit dedikuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Meta denoncoi situatën alarmante të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale.

Meta theksoi se shumë pacientë të diagnostikuar me tumore nisin terapinë e nevojshme, por më pas përballen me ndërprerjen e trajtimit për shkak të mungesës së ilaçeve. Ai shprehu shqetësim për rritjen e numrit të pacientëve që vuajnë nga sëmundje tumorale vit pas viti, duke akuzuar qeverinë për mungesë përgjegjësie dhe përkeqësim të sistemit shëndetësor në vend.

“Për fat të keq numri i pacientëve me sëmundjet tumorale është gjithnjë e në rritje, dhe shkaku i dytë i vdekjeve në vend, duke shkaktuar 16% të tyre, por çuditërisht në mënyrë skandaloze buxheti për Onkologjikun edhe pse rastet tumorale rriten, vjen duke u ulur, në raport me buxhetin e përgjithshëm. Janë mbi 6 mijë raste të reja me sëmundje tumorale që regjistrohen çdo vit në vend. Pesha në buxhet për trajtimin e sëmundjeve tumorale për vitin 2020 ishte 11.7% dhe në 2 vitet e tjera ra gati në 7.5%, pra në vend që të rritej, përkundrazi ajo pësoi një rënie të dukshme Nevojat për ilaçe në QSUT janë 4 herë më të larta se sa buxheti që miratohet për këtë qëllim. Mungojnë në mënyrë të vazhdueshme barnat antitumorale në Onkologji dhe në Onkopediatri, por edhe në shërbime të tjera. Është dramatik dhe kriminal fakti që të sëmurëve me tumore ju fillohet terapia dhe më pas ju ndërpritet për shkak të mungesës së barnave“, tha Meta.