Ditën e djeshme shirat e dendur dhe moti i keq shkaktuan përmbytje në Vlorë duke dëmtuar banorët e qytetit bregdetar.
Uji, vërshoi dje në rrugët e qytetit, duke u futur në shtëpi biznese e godina shërbimesh.
Dëmi më i madh përllogaritet për bizneset, ndonëse ende nuk ka një bilanc. Fotaq Veneti, një farmacist nga Vlora, përshkruan me dhimbje dëmin e madh që i është shkaktuar biznesit të tij, në rreth 100 mijë euro. “Niveli i ujit arriti rreth gjysmë metri brenda farmacisë. Humbja ime mund të jetë rreth 100 mijë euro”, thotë ai, ndërsa rrëfen momentet e frikës kur ishte i mbyllur brenda, pa mundur të dalë.
“Kam farmaci. Një dëm shumë i madh, s’mund të them një vlerë fikse por diku tek 100 mijë euro produkte farmaceutike. Qepeni ka qenë i mbyllur për të penguar pjesën e përmbytjes, por duke ditur që ngelëm brenda kemi telefonuar për të dalë jashtë se situata arriti deri në 50 cm ujë brenda. Kemi qëndruar 2 orë brenda. Janë pothuajse 20-50 biznese gjithë kjo rrugë. Kjo është hera e disatë, si një katastrofë”, tha Fotaq Veneti, pronar i një farmacie për Report TV.
Përparim Çelajt, pronarit të një marketi, i cili tregon për dëmin e pësuar që arrin në 5 milionë lekë të vjetra. Ashtu si shumë të tjerë, ai thotë se është dëshmitar i përmbytjeve që ndodhin çdo dimër, duke u përballur me të njëjtën sfidë pa asnjë ndihmë. “U bllokova në dyqan, nuk dilja dot,” thotë ai, duke përshkruar prurjet e mëdha të ujit që e lanë të izoluar në dyqan.
“Gati 5 mln lekë të vjetra dëm, shumë keq situata. Ndodh vit për vit këtu. Hall i madh. U bllokova në dyqan nuk dilja dot. Ishin prurje të mëdha”, tha Përparim Celaj, pronar i një marketi.
Dhembja pasqyrohet edhe në fjalët e Fatjon Ruçit, pronarit të një lokali, i cili dëshmon se ka humbur më shumë se 20 milionë lekë nga përmbytjet e përsëritura.
“Dimër për dimër, këtu bëhet det. Jemi të detyruar ta rregullojmë çdo gjë nga vetja. Shteti nuk merr masa. Dëmi mund të jetë 1 milionë lek për pastrime, lyerje minimumi. Po jemi përmbytur nga 20 herë, më kanë vajtur 20 mln lekë, askush s’do t’ia dijë”, thotë ai.