Në shitjet fillestare për Hezbollahun dy vjet më parë, linja e re e biperave “Apollo” dukej saktësisht e përshtatshme për nevojat e një grupi milicësh me një rrjet të përhapur luftëtarësh dhe një reputacion të njohur për paranojë kur vjen puna te siguria e brendshme.
Biperi AR924 ishte paksa i rëndë në peshë, por i fortë, i ndërtuar për t’u mbijetuar kushteve të fushëbetejës. Modeli tajvanez mburrej me aftësinë e të qenit i papërshkueshëm nga uji dhe një bateri të madhe që mund të funksiononte për muaj të tërë pa u karikuar.
Qershia mbi tortë ishte se nuk kishte asnjë rrezik që biperat të mund të gjurmoheshin ndonjëherë nga shërbimet e inteligjencës izraelite. Udhëheqësit e Hezbollahut ishin aq të impresionuar sa blenë 5000 prej tyre dhe filluan t’ua shpërndanin luftëtarëve të nivelit të mesëm dhe personelit mbështetës në shkurt.
Asnjë nga përdoruesit nuk dyshoi se kishte me vete një bombë izraelite të krijuar në mënyrë të zgjuar. Edhe pasi mijëra pajisje shpërthyen në Liban dhe Siri, pak e vlerësuan veçorinë më të keqe të biperave: një procedurë çkodimi me dy hapa që siguronte që shumica e përdoruesve do tea mbanin biperin me të dyja duart para se të shpërthente.
Rreth 3,000 oficerë dhe anëtarë të Hezbollahut – shumica prej tyre figura të nivelit të pasmë, u vranë ose u gjymtuan, së bashku me një numër të panjohur civilësh, sipas zyrtarëve izraelitë, amerikanë dhe të Lindjes së Mesme, kur shërbimi i inteligjencës izraelite Mossad shpërtheu pajisjet nga distance më 17 shtator.
Një veprim i tillë artizanal spiunazhi, është pa paralele në botë deri tani, në një nga depërtimet më të suksesshme dhe më shpikëse të një armiku nga një shërbim inteligjent. Por hollësitë kryesore të operacionit – duke përfshirë mënyrën se si u planifikua dhe u krye, dhe polemikat që shkaktoi brenda institucionit të sigurisë së Izraelit dhe mes aleatëve, po dalin në dritë vetëm tani.
Ky raport, duke përfshirë shumë hollësi të reja rreth operacionit, u mblodhën nga intervistat me zyrtarë të sigurisë izraelite, arabe dhe amerikane, politikanë dhe diplomatë të informuar mbi ngjarjet, si dhe zyrtarë libanezë dhe njerëz të afërt me Hezbollahun.
Ata folën në kushte anonimiteti. Ata përshkruajnë një plan shumëvjeçar që nisi në selinë e Mossad-it në Tel Aviv dhe në fund përfshinte një grup operativësh dhe bashkëpunëtorë në shumë vende. Raporti i Washington Post zbulon se si sulmi jo vetëm që shkatërroi radhët e udhëheqjes së Hezbollahut, por gjithashtu e nxiti Izraelin të synonte dhe të vriste kreun më të lartë të Hezbollahut, Hasan Nasrallah, duke rritur rrezikun e një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Irani lëshoi rreth 180 raketa kundër Izraelit të martën në shenjë hakmarrjeje për sulmet izraelite ndaj udhëheqjes së Hezbollahut dhe paralajmëroi për pasoja më të rënda nëse konflikti përshkallëzohet.
“Rezistenca në rajon nuk do përfundojë edhe me vrasjen e krerëve të saj”, tha udhëheqësi suprem iranian Ali Khamenei gjatë një predikimi të së premtes në Teheran.
Por në Izrael, sulmi i bindi krerët politikë të vendit se Hezbollahu mund të dërrmohej, duke përdorur një çmontim sistematik me sulme ajrore dhe, përfundimisht, një pushtim tokësor. Megjithatë, ndërsa mahniten me suksesin e komplotit, disa zyrtarë vijojnë të shqetësohen për valët më të gjera të sulmeve, në një konflikt që vijon të spiralizohet.
Një zyrtar politik izraelit, duke iu referuar komplotit përmes biperave, i përmblodhi shqetësimet në një takim me zyrtarët e Mossad-it.
“Ne nuk mund të marrim një vendim strategjik siç është një përshkallëzim në Liban duke u mbështetur në një lodër,” tha zyrtari.
Projektuar nga Mossad, montuar në Izrael
Ideja për operacionin e biperave lindi në vitin 2022, sipas zyrtarëve izraelitë, të Lindjes së Mesme dhe të SHBA-së të njohur me ngjarjet. Pjesë të planit filluan të zbatoheshin më shumë se një vit përpara sulmit të Hamasit të 7 tetorit që e vendosi rajonin në rrugën drejt luftës. Ishte një kohë relativisht e qetë në kufirin verior të Izraelit me Libanin, të shkatërruar nga lufta.
Në mesin e gjysmë duzinë grupeve të milicisë të mbështetur nga Irani me armë që synojnë Izraelin, Hezbollahu është deri tani më i fuqishmi. Zyrtarët izraelitë kishin parë me ankth në rritje ndërsa grupi libanez shtoi armë të reja në një arsenal tashmë të aftë për të goditur qytetet izraelite me dhjetëra mijëra raketa të drejtuara me saktësi.
Mossad, shërbimi i inteligjencës izraelite përgjegjës për luftimin e kërcënimeve të huaja ndaj shtetit hebre, kishte punuar për vite të tëra për të depërtuar në grup me mbikëqyrje elektronike dhe informatorë njerëzorë. Me kalimin e kohës, udhëheqësit e Hezbollahut nisën të shqetësoheshin për cenueshmërinë e grupit ndaj mbikëqyrjes dhe hakerimit izraelit, nga frika se edhe celularët e zakonshëm mund të shndërroheshin në pajisje përgjimi dhe gjurmimi të kontrolluara nga Izraeli.
Kështu lindi ideja e krijimit të një lloji “kalit Trojan” të komunikimit, thanë zyrtarët. Hezbollah po kërkonte rrjete elektronike të mbrojtura nga hakerimi për transmetimin e mesazheve dhe Mossad doli me një “hile” që do e çonin grupin e milicisë të blinte pajisje që dukeshin të përsosura për këtë punë, pajisje që Mossad i projektoi dhe i kishte montuar në Izrael.
Pjesa e parë e planit ishin radiot marrësedhënëse që filluan të futen në Liban nga Mossad gati një dekadë më parë, në vitin 2015. Radiot kishin paketa baterish të mëdha, një eksploziv të fshehur në to dhe një sistem transmetimi që i dha Izraelit qasje të plotë në komunikimet e Hezbollahut.
Për nëntë vjet, izraelitët u kënaqën me përgjimin e Hezbollahut, thanë zyrtarët, ndërsa kishin gjithashtu mundësinë për t’i shndërruar radiot marrësedhënëse në bomba në rast të një krize të ardhshme. Por më pas erdhi një mundësi e re dhe një produkt i ri plot shkëlqim: një biper i vogël i pajisur me një eksploziv të fuqishëm. Në një ironi që nuk do bëhej e qartë për shumë muaj, Hezbollahu do përfundonte duke paguar indirekt izraelitët për bombat e vogla që do vrisnin ose plagosnin shumë prej operativëve të tij.
Për shkak se udhëheqësit e Hezbollahut ishin të kujdesshëm ndaj sabotimeve të mundshme, biperat nuk mund të kishin origjinën në Izrael, Shtetet e Bashkuara apo ndonjë aleat tjetër izraelit. Kështu, në vitin 2023, grupi filloi të merrte kërkesa për blerjen me shumicë të biperave “Apollo” të markës tajvaneze, një markë tregtare dhe linjë produkti e njohur mirë me shpërndarje në mbarë botën dhe pa lidhje të dukshme me interesat izraelite ose hebreje. Kompania tajvaneze nuk kishte njohuri për planin, thanë zyrtarët.
Shitja erdhi nga një zyrtar marketingu i besuar nga Hezbollah me lidhje me “Apollo”. Zyrtarja e marketingut, një grua, zyrtarët e së cilës nuk pranuan ta zbulojnë identitetin dhe kombësinë, ishte një ish-përfaqësuese e shitjeve në Lindjen e Mesme për firmën tajvaneze, e cila kishte krijuar kompaninë e saj dhe kishte marrë një licencë për të shitur një linjë biperash që mbanin markën “Apollo”. Diku në vitin 2023, ajo i ofroi Hezbollahut një marrëveshje për një nga produktet që shiti firma e saj: AR924, një pajisje e fortë dhe e besueshme.
“Ajo ishte ajo në kontakt me Hezbollahun dhe u shpjegoi atyre pse biperi më i madh me baterinë më të madhe ishte më i mirë se modeli origjinal,” tha një zyrtar izraelit i informuar për hollësitë e operacionit. “Një nga pikat kyçe të shitjes në lidhje me AR924 ishte se ishte “e mundur të karikohej me kabllo. Dhe bateritë ishin më të qëndrueshme,” tha zyrtari.
Siç doli, prodhimi aktual i pajisjeve ishte nënkontraktuar dhe zyrtari i marketingut nuk kishte njohuri për operacionin dhe nuk ishte në dijeni se biperat ishin montuar fizikisht në Izrael nën mbikëqyrjen e Mossad, thanë zyrtarët. Piperat e Mossad-it, secili me peshë më pak se 83 gramë, përfshinin një veçori unike: një paketë baterie që fshihte një sasi të vogël të një eksplozivi të fuqishëm, sipas zyrtarëve të njohur me komplotin.
Në një arritje inxhinierike, përbërësi i bombës ishte fshehur me aq kujdes sa që praktikisht nuk mund të zbulohej, edhe nëse pajisja shkëputej, thanë zyrtarët. Zyrtarët izraelitë besojnë se Hezbollahu çmontoi disa nga biperat dhe mund t’i ketë skanuar ato me rreze X.
Gjithashtu e padukshme ishte qasja në largësi e Mossad në pajisjet. Një sinjal elektronik nga shërbimi inteligjent mund të shkaktonte shpërthimin e mijëra pajisjeve menjëherë. Por, për të siguruar dëme maksimale, shpërthimi do shkaktohej nga një procedurë e veçantë me dy hapa që kërkohet për shikimin e mesazheve të sigurta që ishin të koduara.
“Duhej të shtypnit dy butona për të lexuar mesazhin,” tha një zyrtar. Në praktikë, kjo nënkuptonte përdorimin e të dy duarve.
Në shpërthimin që pasoi, përdoruesit pothuajse me siguri “do plagosnin të dyja duart”, tha zyrtari, dhe kështu “do ishin të paaftë për të luftuar”.
Një mesazh i koduar
Shumica e zyrtarëve të lartë në Izrael nuk ishin në dijeni të komplotit deri më 12 shtator. Kjo është dita kur kryeministri Benjamin Netanyahu thirri këshilltarët e tij të inteligjencës për një takim për të diskutuar veprimet e mundshme kundër Hezbollahut, thanë zyrtarët izraelitë.
Sipas një përmbledhjeje të takimit javë më vonë nga zyrtarë të informuar për ngjarjen, zyrtarët e Mossad ofruan një vështrim të parë në atë që kishte qenë një nga operacionet më sekrete të agjencisë. Ndërkohë izraelitët kishin vendosur bipera të pajisur me eksploziv në duart dhe xhepat e mijëra operativëve të Hezbollahut.
Zyrtarët e inteligjencës folën gjithashtu për një shqetësim të gjatë: me krizën në përshkallëzim në Libanin jugor, ekzistonte një rrezik në rritje që eksplozivët të zbuloheshin. Vitet e planifikimit të kujdesshëm dhe mashtrimit mund të dështonin shpejt.
Në gjithë institucionet e sigurisë të Izraelit, shpërtheu një debat i fortë, thanë zyrtarët. Të gjithë, duke përfshirë Netanyahun, e kuptuan se mijëra biperat që shpërthyen mund t’i bënin dëme të pallogaritshme Hezbollahut, por gjithashtu mund të shkaktonin një përgjigje të ashpër, duke përfshirë një sulm masiv hakmarrës me raketa nga udhëheqësit e mbijetuar të Hezbollahut, me Iranin që mund të bashkohet në përleshje.
“Ishte e qartë se kishte disa rreziqe,” tha një zyrtar izraelit. Disa, duke përfshirë zyrtarë të lartë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, paralajmëruan për potencialin për një përshkallëzim të plotë me Hezbollahun, edhe pse ushtarët izraelitë po vijonin operacionet kundër Hamasit në Gaza. Por të tjerët, kryesisht Mossad, panë një mundësi për të prishur status quo-në me “diçka më intensive”.
Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Izraelit, nuk ishin të informuar për biperat shpërthyes apo debatin e brendshëm nëse do t’i shpërthenin ato, thanë zyrtarët amerikanë.
Në fund, Netanyahu miratoi aktivizimin e pajisjeve në klohën kur ato mund të shkaktonin dëme maksimale. Gjatë javës në vijim, Mossad filloi përgatitjet për të shpërthyer si biperat, ashtu edhe radiot marrësedhënëse që tashmë ishin në qarkullim.
Ndërkohë, në Jerusalem dhe Tel Aviv, debati mbi fushatën e Hezbollahut u zgjerua për të përfshirë një objektiv tjetër thellësisht të rëndësishëm: vetë kreun e Hezbollahut, Hasan Nasrallah.
Mossad e dinte vendndodhjen e kreut në Liban prej vitesh dhe i gjurmonte nga afër lëvizjet e tij, thanë zyrtarët. Megjithatë, izraelitët e frenuan sulmin, të sigurt se një vrasje do çonte në luftë të gjithanshme me grupin militant, dhe ndoshta edhe me Iranin. Diplomatët amerikanë i kishin bërë presion Nasrallahut që të binte dakord për një armëpushim të veçantë me Izraelin, pa lidhje me luftimet në Gaza, duke shpresuar për një marrëveshje që mund të çonte në tërheqjen e luftëtarëve të Hezbollahut nga bazat libaneze jugore që kërcënonin qytetarët izraelitë në komunitetet pranë kufiri.
Zyrtarë të lartë izraelitë thanë se ata shprehën mbështetje për propozimin e armëpushimit, por Nasrallah nuk e dha pëlqimin e tij, duke këmbëngulur në një armëpushim për Gazën fillimisht, thanë zyrtarët e SHBA-së dhe Lindjes së Mesme. Disa zyrtarë të lartë politikë dhe ushtarakë në Izrael ishin thellësisht të pasigurt për shënjestrimin e Nasrallah-ut, nga frika e pasojave në rajon.
Më 17 shtator, edhe pse debati në qarqet më të larta të sigurisë kombëtare të Izraelit vijoi nëse do goditje kreu i Hezbollahut, mijëra bipera të markës “Apollo” nisëj të dridhen me mesazhe menjëherë, në të gjithë Libanin dhe Sirinë. Një fjali e shkurtër në arabisht u shfaq në ekran: “Ke marrë një mesazh të koduar”, thuhej.
Operativët e Hezbollahut ndoqën me përkushtim udhëzimet për kontrollimin e mesazheve të koduara, duke shtypur dy butona. Në shtëpi dhe dyqane, në makina dhe në trotuare, shpërthimet dëmtuan duart dhe gishtat e operativëve. Më pak se një minutë më vonë, mijëra bipera të tjerë shpërthyen me komandë në largësi, pavarësisht nëse përdoruesi e kishte prekur apo jo pajisjen e tij.
Të nesërmen, më 18 shtator, qindra radio marrësedhënëse shpërthyen në të njëjtën mënyrë, duke vrarë dhe gjymtuar përdorues dhe kalimtarë.
Ishte e para nga një seri goditjesh që synonin zemrën e një prej armiqve më të zjarrtë të Izraelit. Ndërsa Hezbollahu u godit rëndë, Izraeli goditi sërish, duke goditur selinë, arsenalet dhe qendrat logjistike të grupit me bomba 900 kilogramëshe.
Seria më e madhe e sulmeve ajrore ndodhi më 27 shtator, 10 ditë pasi biperat shpërthyen. Sulmi, që kishte në shënjestër një qendër komandimi të zhytur thellë në Bejrut, u urdhërua nga Netanyahu teksa ai udhëtonte për në Nju Jork për një fjalim në Kombet e Bashkuara, në të cilin ai deklaroi, duke folur për Hezbollahun: “U mbush kupa “.
“Ne nuk do pranojmë një ushtri terroriste të vendosur në kufirin tonë verior, në gjendje të kryejë një tjetër masakër të stilit të 7 tetorit,” tha Netanyahu në fjalimin e tij.
Të nesërmen, më 28 shtator, Hezbollahu konfirmoi atë që shumica e botës e dinte tashmë: Nasrallah, udhëheqësi i zjarrtë i grupit dhe armiku i betuar i Izraelit, kishte vdekur.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani