Avionët luftarak izraelitë kanë kryer më shumë se 30 sulme ajrore gjatë natës në periferinë jugore të Bejrutit, duke shënuar “natën më të rëndë” të sulmeve që kur Izraeli zgjeroi ofensivën ushtarake kundër Libanit më 23 shtator, transmeton Anadolu.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se sulmet kishin në shënjestër lokacione të ndryshme nëpër periferitë jugore të Bejrutit, duke rezultuar në dëme të përhapura dhe një re të trashë tymi që mbuloi zonën. Sulmet ajrore u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin.
Sipas raportit, sulmet ajrore goditën disa zona, duke përfshirë një pikë karburanti pranë Rrugës së Aeroportit, një ndërtesë në rrugën Barjaoui në rrethin Ghobeiry, si dhe lokacione të tjera në Safir dhe Burj al-Barajneh.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, pretendoi se Forcat Ajrore të Izraelit shënjestruan “armët dhe infrastrukturën që i përkisnin Hezbollahut në Bejrut”.
Adraee tha se sulmet bazohen në “inteligjencë të saktë, që shënjestronte depot e armëve të Hezbollahut dhe struktura të tjera ushtarake”.
Ai gjithashtu pohoi se Hezbollahu ruante armë dhe vepronte jashtë ndërtesave të banimit.
Hezbollahu akoma nuk u është përgjigjur akuzave të fundit izraelite, megjithëse më parë grupi ka mohuar pretendime të ngjashme nga ushtria izraelite.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 41.800 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Që atëherë, në Liban janë vrarë të paktën 2.036 njerëz që atëherë, mbi 9.500 janë plagosur dhe rreth 1.2 milionë të tjerë janë zhvendosur.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.