Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e nesërme e opozitës, bllokohen 15 rrugë në Tiranë


15 rrugë mund të bllokohen nga protestuesit e opozitës në protestën e paralajmëruar për nesër në orën 18:00.

Opozita ka më shumë se dy javë që ka paralajmëruar për protestën menjëherë pas dënimit të deputetit Ervin Salianji me një vit burg lidhur me audiopërgjimin ku pretendohet se shfaqej vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Përfaqësuesit e opozitës kanë deklaruar se nesër do nisë mosbindja civile ndaj qeverisë së kryeministrit Rama deri në largimin e saj, formimin e një qeverie teknike dhe vajtjen e vendit në zgjedhje me të.

Protesta nuk parashikon të ketë fjalime ndërsa do përqendrohet para kryeministrisë ndërsa më pas protestuesit do shpërndahen në rrugët e Tiranës.

Policia pritet të ndalojë qarkullimin e mjeteve në disa rrugë ndërsa në disa do ketë lëvizje të kufizuar.

“Në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit  të automjeteve dhe disa akse rrugore. Disa nga kryqëzimet e bllokuara do të jenë: Kryqëzimi i Librit Universitar, kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”, kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi te ish-stacioni i trenit, kryqëzimi i urës së Taiëanit, kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”, kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”, kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave, kryqëzimi i pallatit me shigjeta.” – thuhet në njoftimin e policisë.