Rruga nacionale Burrel – Skuraj është bllokuar për disa orë pas një shembje masive të gurëve dhe shkëmbinjve, që ka bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.
Situata më problematike është regjistruar në segmentin e Shkopetit, ku reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë përshpejtuar rrëshqitjen e gurëve të mëdhenj, duke krijuar një rrezik serioz për drejtuesit e automjeteve dhe udhëtarët.
Një masiv i madh shkëmbor është shkëputur këtë të dielë nga shpati i malit, duke bllokuar rrugën dhe krijuar situata të rrezikshme për kalimtarët.
Banorët dhe udhëtarët kanë ngritur shqetësime për sigurinë e kësaj rruge, e cila, përveç gropave dhe dëmtimeve të asfaltit, përballet vazhdimisht me shembje të gurëve nga shpatet e maleve.