Të paktën një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi terrorist në qytetin jugor të Izraelit, Beersheba, kanë thënë autoritetet vendase.
Në një postim në X të dielën, policia izraelite konfirmoi marrjen e një raporti për të shtëna në stacionin qendror të autobusëve, duke shtuar se “terroristi ishte neutralizuar”, pa dhënë hollësi të mëtejshme.
Shërbimi mjekësor i Izraelit, fillimisht tha se gjithsej nëntë persona u plagosën në sulm dhe se autori u qëllua për vdekje në vend. Times of Israel më vonë raportoi duke thënë se një viktimë, një grua 25-vjeçare e cila kishte qenë në gjendje kritike, kishte humbur jetën.
Ynet e përshkroi autorin si një anëtar të komunitetit beduin në rajonin e Negevit, duke shtuar se ai kishte një precedent penal.
Pamjet shqetësuese të incidentit tregojnë skena kaosi, me një grua të armatosur, me sa duket një roje sigurie, duke drejtuar armën në atë që duket të jetë një mashkull i shtrirë në një pellg gjaku. Video të tjera nga vendi i ngjarjes tregojnë një trup tjetër të shtrirë aty pranë në një dysheme të njollosur me gjak.
Sulmi vjen në mes të përshkallëzimit të fundit midis Izraelit dhe Hezbollahut, duke përfshirë vrasjen e kreut të grupit, Hassan Nasrallah.
Izraeli po vijon gjithashtu një operacion tokësor në Gaza për të eliminuar lëvizjen palestineze Hamas, e cila nisi një sulm ndaj vendit një vit më parë.