Holanda ka dërguar grupin e parë të avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë, sipas ministrit holandez të Mbrojtjes.
“Për herë të parë, mund të njoftoj zyrtarisht se avionët F-16 holandezë janë dorëzuar në Ukrainë”, postoi ministri i Mbrojtjes Ruben Brekelmans në faqen e mediave sociale X të dielën, pa thënë se sa avionë janë dërguar në vendet e shkatërruara nga lufta.
Qeveria holandeze kishte thënë se do dërgonte 24 avionë luftarakë F-16 në Kiev. Pjesa tjetër e avionëve “do pasojnë në muajt e ardhshëm”, tha Brekelmans gjatë një vizite në Kharkiv dhe Kiev. Holanda dhe Danimarka kanë udhëhequr koalicionin për të transportuar avionët luftarakë dhe për të stërvitur pilotët ukrainas.
Ukraina është në vitin e tretë të luftës kundër pushtimit rus, duke shkuar në një dimër të vështirë me sulme të pamëshirshme ajrore nga forcat e Kremlinit që kanë shkatërruar gjysmën e infrastrukturës së saj energjetike. Trupat ruse kanë bërë gjithashtu përparime të mëdha në lindje të Ukrainës, ndërsa trupat ukrainase përballen me mungesë armatimi dhe personeli.
Qeveria holandeze gjithashtu u zotua të sigurojë 400 milionë euro ndihmë me drone për Kievin. Haga do dërgojë një numër të pazbuluar dronësh për zbulim, mbrojtje dhe sulm, gati gjysma e të cilave do zhvillohen në Holandë, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë të dielën.