Protesta e opozitës në Tiranë ka përfunduar 30 minuta më herët se leja e marrë, pas një përplasje të tensionuar që ka lënë të plagosur të paktën 10 efektivë të policisë dhe ka shkaktuar shqetësime tek qytetarët për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, njoftoi mbylljen e protestës dhe e cilësoi këtë si “hapin e parë të revoltës së mosbindjes civile”.
Protestuesit marshuan përpara institucioneve kryesore si Kryeministria, selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe Parlamenti, duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera piroteknike drejt këtyre godinave.
Në fjalën e tij, Noka theksoi se aksioni i opozitës synon të japë një mesazh të fortë kundër qeverisë dhe i referohet si një revoltë kundër “narko-shtetit”.
Ai paralajmëroi se opozita do të vijojë aksionet e saj, duke kërkuar formimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.