Vendosni fjalën kyçe....

Mediat e huaja jehonë protestës së opozitës në Shqipëri


Mbrëmjen e sotme (7 tetor), opozita shqiptare organizoi një protestë kombëtare në Tiranë, duke bërë thirrje për mosbindje civile.

Protestuesit fillimisht u mblodhën para Kryeministrisë, ku hodhën bomba molotov. Situata u tensionua kur një molotov ra drejt kordonit policor, duke rrezikuar jetën e dy policëve, të cilët me skafandër arritën ta shmangin shpërthimin përpara tyre.

Deputetët e opozitës lëvizën në formë marshimi. Gjatë rrugës, protestuesit i vunë flakën një stacioni autobusi, si dhe disa kazanëve të mbeturinave.

Protestuesit hodhën gjithashtu bomba molotov dhe dogjën koshat e mbeturinave në disa institucione, një akt që reflekton reagimin e tyre pas dënimit me burg dhe heqjes së mandatit të deputetit Ervin Salianji.

Pas incidentit, turma e protestuesve, e drejtuar nga deputetët demokratë Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të vazhduar drejt godinave të ministrive dhe selisë së Partisë Socialiste.

Protesta e opozitës ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave të huaja si Washington Post, AP, ABC News, US News dhe Daily Mail që kanë raportuar për ngjarjet.

Këto media kanë raportuar në detaje për ngjarjet, duke theksuar tensionin e situatës dhe kërkesat e opozitës për zëvendësimin e qeverisë me një kabinet kujdestar teknik.

Washington Post shkruan se forcat opozitare në Shqipëri organizuan një protestë mbarëkombëtare në Tiranë, duke kërkuar zëvendësimin e qeverisë me një kabinet kujdestar teknik para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Opozita akuzon qeverinë e majtë për manipulim të votimeve.

Protestat u intensifikuan pas dënimit të deputetit Ervin Salianji, të cilin opozita e sheh si politikisht të motivuar. Opozita gjithashtu kërkon lirimin e Sali Berishës nga arresti shtëpiak.

Protesta ka përfshirë bllokimin e qarkullimit dhe incidentet me policinë, ndërsa Ambasada e SHBA-së ka paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë larg. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për dialog mes opozitës dhe qeverisë.

“Ambasada amerikane paralajmëroi qytetarët e saj që të qëndrojnë larg protestës.

SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar opozitës të rifillojë dialogun me qeverinë, duke thënë se dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në bllokun 27-vendesh të BE-së”, shkruan AP.

Ndërsa Daily Mail shprehet se “demokratët, të cilët kanë organizuar ndonjëherë protesta të dhunshme kundër qeverisë që nga viti 2013, kërkojnë gjithashtu lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak, ku ai u vu gjatë një hetimi për korrupsion të dyshuar.

Disa mijëra protestues u mblodhën para godinës kryesore të qeverisë në Tiranë duke thirrur “Poshtë diktatura” dhe “Berisha, Berisha”. Pas një përplasjeje të shkurtër me policinë, ata hodhën kokteje molotov.”