Vendosni fjalën kyçe....

Nis vaksinimi falas kundër gripit, ministrja Koçiu apel qytetarëve të vaksionohen në Qendrat Shëndetësore


Ka nisur sot vaksinimi falas kundër gripit si mjeti më efikas dhe mbrojtja më e mirë kundër virozave respiratore që shkaktohen nga virusi i gripit.

Këtë vit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë se një vit më parë dhe do të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ishte në Qendrën Shëndetësore Nr.6 në Tiranë ku pasi ka marrë edhe vetë vaksinën kundër gripit, apeloi të gjithë qytetarët, veçanërisht ata me sëmundje kronike që të kryejnë falas vaksinën në Qendrat Shëndetësore.

“Ti drejtohen Qendrave Shëndetësore për të marrë vaksinën e gripit dhe për të jetuar një dimër të shëndetshëm pa viroza dhe mbi të gjitha pa komplikacione që sjellin virozat. Kështu që vaksinohuni tani”, apeloi ministrja Koçiu.

Ministrja deklaroi se në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit, janë siguruar 280,000 doza vaksinë të shpërndara tashmë në të gjithë vendin.

Ajo shtoi se nga vaksinimi falas përfitojnë disa grupe duke shtuar se është mënyra më efikase që parandalon dhe minimizon riskun nga komplikacionet që vijnë nga virozat e stinës vjeshtë-dimër.

Grupet për të cilët rekomandohet kryerja e vaksinës kundër gripit janë fëmijët 6 muaj -12 vjeç, punonjësit e shëndetësisë, mësuesit, efektivët e policisë, personat që vuajnë nga sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe qytetarët mbi 60 vjeç.