Vendosni fjalën kyçe....

Opozita nisi marshin drejt objektivit “qeveri teknike”, çfarë ndodhi në katër orë protestë


Ditën e sotme, opozita zhvilloi protestën e thirrur duke shënuar gurin kilometrik drejt asaj që ajo e konsideron si objektivin qeveri teknike përpara zgjedhjeve parlamentare 2025.

Protesta nisi prej orës 18:00 me deputetët e PD-së që u nisën nga selia blu për tu grumbulluar së bashku me qytetarët përpara kryeministrisë.

Protesta u karakterizua që në fillim me tension dhe aksion shtyrjeje dhe përdorim të mjeteve piroteknike.

Qytetarë dhe funksionarë të PD-së u përplasën dhe u shtynë me policët e vendosur në kordonin përpara kryeministrisë.

Protestuesit hodhën molotovë në drejtim të kryeministrisë.

Në protestë nuk mungoi as Partia e Lirisë me Ilir Metën dhe funksionarë të tjerë. Edhe Monika Kryemadhi ishte pjesë e protestës por e distancuar nga Partia e Lirisë.

Nga kryeministria protesta u zhvendos drejt Bashkisë së Tiranës ku dhe aty nuk munguan molotovët nga protestuesit nga njëra anë dhe policisë e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë tubuesit.

Më pas protestuesit shkuan përpara selisë rozë të Partisë Socialistë që drejton qeverinë. Edhe këtu protestuesit nuk harruan të hidhnin molotov në drejtim të godinës dhe policisë që përpiqej të mbronte godinat.

Pas korpusit të ministrive ata u zhvendosët drejt Kuvendit të Shqipërisë. Ku sërish protestuesit u përplasën me policinë e cila përdori gaz lotsjellës në masë.

Deputetët dhe qytetarët opozitarë qëndruan për disa minuta në zonën e Kuvendit dhe më pas vendosën të mbyllnin protestën duke shënjuar kështu hapin e parë të përshkallëzimit të aksionit opozitar.