Xhamia e Namazgjasë në Tiranë tashmë ka një prijës, pasi Ministria e Çështjeve Fetare në Turqi ka emëruar Imamin e Xhamisë.
Ka qenë vetë imami turk Enes Bastur që ka bërë të ditur këtë lajm.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale ai ka bërë të ditur se i është besuar drejtimi i Xhamisë Qendrore të Namazgjasë në Tiranë.
“Të dashur miq, me udhëzimet e Drejtorisë sonë të Çështjeve Fetare më caktuan në faltoren e madhe të xhamisë qendrore të Namazgjasë në Tiranë”, shkruan ai.
Pavarësisht këtij njoftimi të bërë nga personi që pretendon se është emëruar imam i Xhamisë së Namazgjasë, ende nuk ka një reagim zyrtar.
Edhe nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nuk ka asnjë lajm për hapjen e Xhamisë dhe për më tepër për vendosjen e imamit turk në krye të saj.
Xhamia e Namazgjasë edhe pse ka përfunduar, vazhdon të mbetet e mbyllur për shkak të përplasjes mes Erdoganistëve dhe Gulenistëve.
Së fundmi po flitet se xhamia do të inaugurohet gjatë vizitës së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Tiranë.
Ndërkohë në minaret e kësaj xhamie ditët e fundit janë shpalosur flamujt e dy vendeve.