Vendosni fjalën kyçe....

Tubimi i opozitës/ Deputetët e PD-së nisen drejt Kryeministrisë, punonjës të Gardës monitorojnë me dylbi protestuesit


Forca policie dhe punonjës të Gardës janë mobilizuar për mbarëvajtjen e protestës së  opozitës. Deputetët e PD dalin nga selia e PD dhe nisen drejt Kryeministrisë. 

Mbi godinën e kryeministrisë janë pozicionuar disa punonjës, të cilët monitorojnë me dylbi protestuesit.

Mbështetës të opozitës, të mbledhur në oborrin e selisë së PD-së, janë nisur drejt Kryeministrisë.

Turma udhëhiqet nga të rinjtë e FRPD-së, anëtarët e Kryesisë së PD-së, deputetët dhe zyrtarë të tjerë të lartë të opozitës. Ata mbajnë një pankartë me një foto të kryeministrit Edi Rama, e cila ka tekstin në anglisht: “Mafia = Bëje Shqipërinë të lirë përsëri.”

Më herët  u raportua se policia ka marrë në mbrotje disa institucione. Përveç kryeministrisë policia është dislokuar edhe në godinën e Kuvendit, ministrisë së Brendshme, por edhe bashkisë së Tiranës.

Në aksin pranë Ministrisë së Brendshme, qarkullimi i automjeteve është paralizuar, duke penguar edhe kalimin e një urbani. Ndërkohë, protestuesit që po drejtohen drejt Kryeministrisë kanë bllokuar gjithashtu një rrugë pranë bashkisë, duke mos lejuar lëvizjen e makinave. Situata është tensionuar, me protestuesit që janë konfliktuar edhe me shoferët e automjeteve. Për të qetësuar situatën, ka qenë e nevojshme ndërhyrja e policisë.

 

Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1500 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.

Po ashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.