Victor Ambros dhe Gary Ruvkun, nga SHBA-të, janë fitues të Çmimit Nobel 2024 në Fiziologji/Mjekësi, për shkak të “zbulimit të mikroARN-së dhe rolin e saj në rregullimin e gjeneve pas transkriptimit”, transmeton Anadolu.
Në konferencën për media që u mbajt në Institutin Karolinska në Suedi, janë bërë të ditur fituesit e Çmimit Nobel 2024 në Fiziologji/Mjekësi.
Victor Ambros dhe Gary Ruvkun, u vlerësuan si fitues të çmimit, për shkak të “zbulimit tëmikroARN-së dhe rolin e saj në rregullimin e gjeneve pas transkriptimit”.
Dyshja zbuloi mikroRNA-në, një molekulë e re e vogël e ARN-së që luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e gjeneve dhe gjetjet e tyre zbuluan një parim të ri të rregullimit të gjeneve.
Studimi në fjalë tregoi se mikroARN-të janë të nevojshme për organizmat shumëqelizorë, përfshirë njerëzit, dhe kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe funksionimin e organizmave.
– Kush janë Ambros dhe Ruvkun?
Victor R. Ambros ka lindur në vitin 1953 në New Hampshire, SHBA. Ambros, i cili përfundoi arsimimin e tij universitar në biologji në Institutin e Teknologjisë të Massachusetts (MIT) në 1975, mori doktoraturën nga i njëjti universitet në 1979.
Ambros ka punuar në Fakultetin Mjekësor të Universitetit të Massachusetts që nga viti 2008.
I lindur në vitin 1952 në California, SHBA, Gary Ruvkun përfundoi arsimin e tij universitar në Universitetin e California-s në Berkeley, në vitin 1973. Ruvkun mori doktoraturën në Universitetin e Harvardit me studimet e tij mbi “gjenet e fiksimit të azotit bakterial”.
Ruvkun është profesor i gjenetikës në Fakultetin Mjekësor të Harvardit.
Çmimi Nobel në Fiziologji/Mjekësi për vitin 2023 iu dha shkencëtares hungareze 68-vjeçare Katalin Kariko dhe shkencëtarit amerikan 64-vjeçar Drew Weissman, të cilët kryen studime që mundësuan zhvillimin e vaksinës COVID-19 që përmban mRNA.
– Çmimi Nobel
Çmimi Nobel jepet çdo vit për arritjet më të mëdha që kanë kontribuar për njerëzimin gjatë vitit të kaluar.
Bëhet fjalë për çmime për arritje në fushën e mjekësisë, fizikës, kimisë, letërsisë, ekonomisë dhe për kontributin në paqe, të cilat filluan të jepen 120 vjet më parë për nder të shpikësit suedez Alfred Nobel (1833-1896).
Çmimi Nobel është dhënë për herë të parë në vitin 1901 dhe fillimisht është ndarë në pesë fusha, ndërsa nga viti 1969 ka filluar të jepet edhe në fushën e ekonomisë.
Nga ana tjetër, ka pasur disa vite kur çmimet nuk janë dhënë që nga fillimi i tyre në 1901. Shumica e anulimeve të çmimeve, 49 në total, ndodhën gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Ceremonitë e ndarjes së çmimeve nuk mund të mbaheshin edhe në vitin 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë COVID-19.