Deputetja e PD-së Albana Vokshi, në një deklaratë nga selia e PD sot, tha se partia e Rilindjes ka kapur dhe nivelin më të lartë të shoqërisë, botën akademike dhe profesoratin.
Sipas Vokshit, zgjedhjet e fundit në universitete s’ janë gjë tjetër vetëm se mbërthimi politik i tyre nga pushteti i Ramës.
“Viti akademik fillon sot dhe Partia Demokratike ju uron vit të mbarë dhe të suksesshëm, e mbi të gjitha kurajë në përballimin e vështirësive dhe sfidave të cilat shtohen ditë pas dite në universitetet tona.
Ky vit akademik fillon me drejtuesit e rinj të universiteteve që dolën nga zgjedhjet e qershor-korrikut e na treguan se partia e Rilindjes ka kapur dhe nivelin me te larte te shoqërisë, boten akademike dhe profesoratin.
Në shumicën e rasteve drejtuesit e sotëm të botës universitare janë paracaktuar të paktën 2-3 vite më parë pa garë dhe me zero konkurrencë, pa transparencë për mediat (kamerat nuk u lejuan). Mbi 90% e drejtuesve rektore, dekanë e përgjegjës departamentesh) drejtojnë sot institucionet e arsimit të lartë si të preferuarit e partisë”, tha deputeti e PD.
Sipas saj, rasti i Shkodrës ku kryetari i bashkisë Benet Beci angazhohet në fushatë duke u kërkuar votën pedagogëve nuk është i vetëm.
“Studentet që kanë marrë pjesë në zgjedhje u shprehën se u janë premtuar nota të mira në këmbim të votimit të kandidatit të panjohur, por të preferuar politik. Në zgjedhjet në universitetin e mjekësisë në Tiranë, tek largohet ish rektori Z. Arben Gjata, bashkëshortja e tij, Margarita Gjata, e paracaktuar, u zgjodh pa garë për dekane, shembull i një dukurie tjetër, nepotizmit që është shtrire dhe ne universitet e tjera. Zgjedhjet e fundit në universitete s’ janë gjë tjetër vetëm se mbërthimi politik i tyre nga pushteti i Ramës.
Aq shumë drejtues pa integritet, me probleme me drejtësinë dhe pronësinë intelektuale ka Universiteti në krye sot, saqë zgjedhjet universitare u cilësuan si zgjedhjet e bandave të hajdutëve të pronës intelektuale me tituj akademikë. Intelekti i gënjeshtërt dhe grykësia drejton sot universitetet e Shqipërisë, rrëmihësit e gropës së thellë thithëse të arsimit shqiptar”, u shpreh ajo.
Vokshi theksoi se studentët dhe të gjithë shqiptaret sot duhet të dinë se nuk ishte një garë për rektorë e dekanë, ishte një garë plagjiaturash!
“Presidenti Begaj, ministrja e arsimit, Ogerta Manastirliu nuk ndërhynë dhe nuk u prononcuan as kur u denoncuan për nivelin e lartë të hajdutërisë dhe hipokrizisë intelektuale me cilësimin “Plagjiatorë të Rilindjes” duke shënuar aktin me regresiv e më të dënueshëm ne drejtimin e institucioneve që quhet shpërdorim detyre.
Po cilët ishin ata që dekretuan rektoret e përfshirë në skandale plagjiature, si rasti i Artan Hoxhës?
Presidenti Bajram Begaj me punë 100% të kopjuar nga materialet e leksioneve të Shoqatës së Mjekësisë Obstetrike të Amerikës së Veriut – siç është denoncuar jo vetëm një herë nga eksperti Muka, pak ka që ka dekretuar rektorët e rinj, duke fundosur së pari nderin dhe prestigjin e universitetit me te madh e me përfaqësues ne vend, duke goditur vlerat mirëfilli akademike e qytetare, dhe demoralizuar përfundimisht studentët e të gjithë ata që ende besojnë në drejtësi, sakrificë, profesionalizëm, ndershmëri dhe përkushtim”, tha deputetja e PD.
Vokshi shtoi më tej se “pseudointelektualët jo vetëm që kanë penguar zhvillimin e elitave shqiptare dhe avancimin e universiteteve, por vazhdojnë të mbajnë monopol dhënien e gradave dhe titujve për personelin akademik për të mbajtur në hendek vlerat reale intelektuale, prandaj Shqipëria, për turpin e drejtuesve të universiteteve dhe të mbarë sistemit arsimor gjendet e fundit në rajon dhe Evropë për nivelin e arsimit dhe shkencës, e çështë më e rëndë një nga 10 shtetet në nivelin më të lartë në botë për largimin masiv të trurit. Ndërkohë, asnjë nismë e rëndësishme për thithjen e trurit dhe rritjen e cilësisë në universitet! Askujt s’i behet vone!”