Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje Ramës: Prano krijimin e qeverisë teknike, kemi 77 mënyra për të zbatuar mosbindjen civile


Kreu i PD-së, Sali Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të pranojë kërkesën e opozitës për qeveri teknike.

Berisha, në një konferencë për mediat, u shpreh se “kemi 77 mënyra për të zbatuar mosbindjen civile”.

Ai paralajmëroi se do të ketë greva, bllokime rrugësh dhe ngujime nëse nuk pranohet kërkesa për qeveri tenike.

Sali Berisha: Për Ramën kam një thirrje, me kaq ti ke humbur Parlamentin, reago sa je në kohë, nuk kërkojmë pushtet në tavolinë as të marrim pushtetin me forcë, por kërkim qeveri teknike.

Në zgjedhje të lira të shohim se kë votojnë shqiptarët. Pse ke frikë?

Kemi 77 mënyra për të zbatuar mosbindjen civile. Javët që vijnë mosbindja civile do të çmontojnë narkoshtetin tënd, kemi ngujime përpara, kemi greva, bllokime rrugësh, do të ndikojnë, paralizojnë dhe shkërmoqin narkodiktaturën.

Nëse mendon se do të kufizohet në Tiranë, mendohu Edi Rama, do ti kesh në mbarë Shqipërisë.

Berisha u shpreh se mosbindja civile nuk do të kufizohet vetëm në Tiranë. Ai tha se mosbindja civile do të nisë në Shkodër, Vlorë, e në mbarë vendin.

Sali Berisha: Nëse Rama mendon se mosbindja nisi në Tiranë e do të kufizohet aty, mendohu mirë. Së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën, Vlorën, mbarë Shqipërinë sepse nuk ke lënë qytet pa masakruar me vjedhjet. Vreri që ke derdhur mbi shqiptarët do plaset mbi ty. Zoti do bekojë guximtarët, që drodhën narko-shtetin. Mediat ndërkombëtare i bënë jehohë rezistencës së opozitës në Shqipëri, sepse ne kemi shumë miq kudo në botë. Nuk ka gjë më të mirë se një popull që reagon për votën e lirë. Mediat ndërkombëtare kishin vetëm admirim për protestuesit. Do kemi përballje me narko-shtetin, do kemi qeverinë teknike, që të kemi votën e lirë.