Libri i ardhshëm i gazetarit Bob Woodward, “War,” zbulon detaje të reja mbi marrëdhënien e Donald Trump me Vladimir Putin, përfshirë dërgimin fshehurazi të pajisje të testimit të Covid-it drejt Rusisë gjatë pandemisë.
Sipas CNN, i cili citon një ndihmës të ish-presidentit, Woodward shkruan se Trump ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Putinin edhe pas përfundimit të presidencës.
Burimi sugjeron se kanë pasur “ndoshta deri në shtatë” telefonata midis të dyve që kur Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Një episod i veçantë, i zbuluar nga Woodward, përfshin një moment në kulmin e pandemisë Covid-19, kur Trump i dërgoi fshehurazi Putinit pajisje testimi nga kompania Abbott.
Putin, i njohur për izolimin e tij të fortë për shkak të frikës nga virusi, i kërkoi Trumpit që dërgesa të mbahej sekret.
“S’dua që tja thuash askujt që m’i dërgove këto,” i tha Putin Trumpit gjatë një telefonate, sipas librit.
“Nuk më intereson,” u përgjigj Trump. “Mirë.”
“Jo, jo,” vazhdoi Putin. “Nuk dua të thuash asgjë sepse njerëzit do të zemërohen me ty, jo me mua. Ata nuk mërziten për mua.”
Woodward gjithashtu përshkruan një skenë tjetër ku Trump, në Mar-a-Lago, i kërkoi një ndihmësi të lartë të largohej nga dhoma, duke thënë se ai donte të kishte një bisedë private telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.