Vendosni fjalën kyçe....

Në Kosovë, rriten pensionet me 20 për qind


Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se nga ky muaj do të rriten me 20 për qind pensionet për disa kategori të pensionistëve. Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pensioneve prej 20 për qind. Kjo u bë e ditur në një konferencë të mbajtur të hënën nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ky ndryshim prek të gjitha kategoritë e skemave pensionale të moshës, duke përfshirë pensionet bazike dhe ato kontributpaguese.

Sipas të dhënave të prezantuara në konferencë, pensioni bazik i moshës do të rritet nga 100 në 120 euro.

Pensioni për kategorinë e kontributpaguesve I do të rritet nga 182 në 218.40 euro, ndërsa për kategorinë kontributpagues II, nga 198 në 237.60 euro.

Kategoritë tjera si kontributpagues III dhe IV do të përfitojnë gjithashtu rritje përkatësisht nga 214 në 256.80 euro dhe nga 265 në 318 euro.

Rritja vlen për të gjithë pensionmarrësit e kategorive si: pensionet bazike të moshës, kontributpagues të plotë dhe parcial, pensionet për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara, si dhe pensionet e punëtorëve të Trepçës.

Kategoritë e luftës, përfshirë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët, do të përfitojnë nga kjo rritje prej janarit të vitit të ardhshëm.

Kryeministri Albin Kurti ka treguar se nga ky muaj do të rriten për 20 për qind pensionet për disa kategori të pensionistëve.

“Sot kam kënaqësinë që të ju jap një lajm të mirë të gjithë pënsionistëve. Nga ky muaj, do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si në vijim: Pensioni bazik i moshës, kontibutpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se nga muaji janar do të ketë rritje për 20 për qind edhe për pensionet e përcaktuara në Ligjin për kategoritë e luftës, “përkatësisht familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre”.

Kjo për shkak se për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë.

Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues dhe se ndikimi në buxhet i kësaj rritjeje do të jetë 100 milionë euro shtesë.

“Falë politikave te mirëmenduara e kemi pasur të mundur që të ndërmarrim këtë veprim”, ka theksuar Murati.

Murati theksoi rëndësinë e kësaj rritjeje për përmirësimin e mirëqenies së pensionistëve, duke shtuar se impakti buxhetor i kësaj rritjeje është rreth 100 milionë euro, ndërsa përfshirja e skemave të luftës do të zbatohet nga janari i vitit 2025.

“Ky ndryshim prek 304,016 përfitues dhe është rezultat i politikave të mirëmenaxhuara dhe rritjes së të hyrave.”

Deri tani, pensionet në Kosovë silleshin nga 100 deri në 265 euro. Rritja e fundit, në 100 euro, u bë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e Kosovës e miratoi në kohën e pandemisë COVID-19.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor