Vendosni fjalën kyçe....

Nevojat për financimin e rrugëve 1,1 miliardë euro më 2025-ën


Nevojat për financimin e transportit rrugor në vitin 2025 janë rreth 109,4 miliardë lekë, afërsisht 1,1 miliardë sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave në buxhetin afatmesëm 2025-2027.

Kjo shumë që kërkohet për financim vitin që vjen është 3.7 herë më e madhe se programi i këtij viti, ku financimet për programin e transportit rrugor janë parashikuar në vlerën e 29,3 miliardë lekëve, sipas ndryshimeve në aktin e fundit normativ të buxhetit 2024.

Sipas tabelës së mëposhtme të Ministrisë së Financave, kostoja e politikave ekzistuese të miratuara në tavanet buxhetore për vitin që vjen është rreth 52 miliardë lekë, ndërsa kostoja e politikave të reja në transportin rrugor kërkon 57,3 miliardë lekë. Shuma totale që kërkohet për financimin e rrugëve vitin që vjen është rreth 109,5 miliardë lekë, referojnë të dhënat.

Për vitet e ardhshme 2025-2027, financimet e nevojshme për rrugët për projektet ekzistuese dhe ato të reja në transportin përllogariten 203 miliardë lekë, ose 2.3 miliardë euro. Këto financime janë rekorde historike.

Shpenzimet më të larta në infrastrukturën rrugore, do të vijnë nga disa projekte të reja në ndërtimin e akseve në Korridoret 8 dhe 10 pjesë e rrjetit kryesor TENT në Europë dhe zgjerimit të Autostradës Tiranë-Durrës.

Me rritjen e të ardhurave buxhetore, qeveria ka kthyer vëmendjen nga infrastruktura fizike, sidomos rrugët, portet dhe aeroportet.

Teksa fondet për investimet po vijnë me rritje, realizimi i tyre në terren ka ecuri të dobët.

Programi buxhetor i investimeve kapitale është më i madhi në histori me 150,5 miliardë lekë (1,5) miliardë euro, realizimi i 8-mujorit është më i ulëti së paku që nga viti 2020.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në 8-mujor u alokuan 41 miliardë lekë nga buxheti në formën e investimeve kapitale. Kjo ishte vlera më e ulët e 5 viteve të fundit. Në raport me planin e periudhës, realizimi ishte 15 për qind më i ulët.

Nga janari në gusht 2024 është realizuar vetëm 27.8 për qind e fondit vjetor të investimeve publike prej 150,5 miliardë lekësh.

Teksa programi i investimeve hasi në vështirësi këtë vit, qeveria në dy rishikimet që i bëri buxhetit 2024, i rriti edhe më tej financimet për këtë zë, duke shkurtuar disa programe të shëndetësisë dhe të bujqësisë që tashmë janë sektorë të nënfinancuar./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor