Deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një takim me zv. Sekretarin e Përgjithshëm të Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), Gerhard Wahlers, i cili po viziton Shqipërinë për të festuar 15-vjetorin e hapjes së zyrës së KAS në Tiranë.
Tabaku vlerësoi kontributin thelbësor të KAS në ndërtimin dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri përmes projekteve të rëndësishme, duke theksuar se ky fondacion ka qenë një gur themeli për Partinë Demokratike dhe për rrugëtimin e saj politik gjatë këtyre 30 viteve.
Gjatë takimit, Tabaku nënvizoi gjithashtu rolin jetik të opozitës në demokraci, duke thënë se Partia Demokratike ka pasur një rol kyç në procesin e integrimit europian, një rol që nuk mund të zëvendësohet.
“Shqipëria po hyn në një vit elektoral dhe reforma zgjedhore e plotë, sipas rekomandimeve reale të OSBE-ODIHR, ka dështuar për shkak të mungesës së vullnetit nga mazhoranca aktuale, që nuk dëshiron ta zbatojë”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se balanca e pushteteve mbetet një nga sfidat më të mëdha për demokracinë shqiptare, duke e quajtur “thembrën e Akilit” për shkak të mungesës së vullnetit politik për të rregulluar këto probleme.
Në përfundim, deputetja e PD shprehu mirënjohjen e saj për përkushtimin dhe partneritetin afatgjatë të Fondacionit Konrad Adenauer në përkrahjen e Partisë Demokratike dhe në përparimin e demokracisë në Shqipëri.
“Kënaqësi të takoja @GerhardWahlers, Zv. Sekretarin e Përgjithshëm të @KASonline, gjatë vizitës për 15 vjetorin e #KASAlbania. Mbështetja e KAS ka qenë jetike për forcimin e demokracisë dhe një gur themeli për PD në 30 vitet e saj. Roli i opozitës është kyç për demokracinë dhe integrimin. Reforma zgjedhore ka dështuar për shkak të mungesës së vullnetit të mazhorancës. Balanca e pushteteve mbetet thembra e Akilit për demokracinë tonë. 🇦🇱”, shkruan Tabaku në X.